Armando Sadiku nuk ndalet dhe gjen sërish rrugën e rrjetës në Ligën 2 spanjolle, duke ndihmuar Malaga të evitojë humbjen në transfertën kundër Real Oviedo. Sulmuesi shqiptar vulosi barazimin 1-1 në sfidën e javës së 22-të, për t’i dhënë skuadrës së tij një pikë të rëndësishme në objektivin për të shpëtuar sezonin.
Sadiku shënoi nga pika e penalltisë në minutën e 65-të, ndërsa ky ishte goli i tij i tetë në 17 ndeshje të luajtura, 15 prej të cilave si titullar. Nga minuta e parë në këtë ndeshje luajti edhe Keidi Bare. I pazëvendësueshëm mesfushori, që ka tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera në Spanjë.

Mediat iberike kanë zbuluar një ofertë të Rayo Vallecano. Klubi që gjithashtu luan në Ligën 2 është gati të paguajë 500 mijë euro për kartonin e futbollistit të kombëtares kuqezi, por kjo shifër nuk është pranuar nga Malaga, që e konsideron Baren si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
(balkanweb)