TIRANE- Një qytetar nga Tirana ka denoncuar pranë “Jetaoshqef.al” një person të veshur me kostum, për të cilin ajo thotë se është polic dhe i ka kërkuar një shoferi dokumentat me forcë. Ai nuk është veshur me uniformë, por ka në dorë radion me të cilin komunikon me kolegët dhe përmend dhe Komisariatin Nr2. Por burime zyrtare nga Policia e Shtetit pohojnë për ‘BalkanWeb’ se nuk bëhet fjalë për një punonjës të saj, por për një polic bashkiak të Tiranës.
Fjalët e tjera janë të tepërta duke parë këto pamje të rënda.
“Ai thotë në video polici që është zot. Si mund ta kapi personin nga fyti? Me çfarë të drejte? Ky është kulmi! Edukata zero, jemi në Shqipëri, vetëm këtu ndodhin të tilla gjëra. Polici ka bërë një zhurmë të tmerrshme, të gjithë njerëzit dolën jashtë. Personi nuk jepte dokumentat, kjo vetëm nga sjellja e policit”, thotë qytetari që ka filmuar të gjithë ngjarjen.
Në një moment shoferi del nga makina dhe i thotë që të bëjë çfarë të dojë, por në këtë mënyrë nuk e kanë të gjatë. Por, pas këtyre fjalëve, zotëria me kollare dhe këmishë i kthehet ashpër, e quan miligonë, ordiner, legen dhe e kap për gryke si dhe e tërheq zvarrë.
Shoferi: Merre bëj çfarë të duash, por mos harroni se nuk e keni të gjatë, ja kaq di të them unë.
Polici bashkiak: Ec ore mos na acaro, ordiner, milingonë, hajde këtu ti hajde, me cil je tu fol ti more me cil je tu fol o, hajde këtu hajde, kujt i bën presion ti more, mu hë? Unë ta shqyej gojën o budalla, hajde këtu ore legen hajde, më bën presion mua, më thua se ke të gjatë?
Kanë qenë këto disa nga fjalët, ndërsa denoncuesi thotë në fund se pas këtij sherri të ndodhur tek “21 Dhjetori”, shoferi është shoqëruar në polici.
(ed.me/BalkanWeb)
