Vllaznia nuk ka ndërmend të ndalet, marshon me hap kampioni, këtë herë duke dhuruar spektakël ofensiv përballë Skënderbeut. Shkodranët janë të papërmbajtshëm duke dominuar kundërshtarin në çdo aspekt dhe duke i lëshuar një sinjal të qartë të gjithë rivalëve, ky është një sezon ndryshe, ku kuqeblutë kërkojnë minimalisht pjesëmarrjen në kupat e europës, pse jo dhe titullin kampion duke parë dhe rendimentin e kundërshtarëve. Trajneri Brdaric “përkëdhel” këtë herë Ardit Hoxhaj, autori i një “pokeri” golash.
37 sekonda lojë i mjaftuan ekipit shkodran për të kaluar në avantazh, me Imerin që nuk fali në topin e parë që i erdhi në këmbë. Gjërat shkuan keq për ekipin e Ahmataj teksa në minutën e 15-të detyrohen të bëjnë pa shërbimet e Bicaj i cili u largua nga fusha e lojës me barelë si pasojë e një dëmtimi.
Vllaznia shtoi dhe më shumë presionin në zonën e Skënderbeut dhe në minutën e 35-të Ardit Hoxhaj dyfishoj shifrat. Sulmuesi vlonjat ishte protagonisti kryesorë pasi në minutën e 42-të realizoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Vllazninë.
Historia nuk ndryshoi as me fillimin e pjesës së dytë, praktikisht u luajt me një drejtimin. Në minutën e 53-të Hoxhaj dërgoi sërish topin në rrjetë duke realizuar golin e tij të tretë personal dhe të katërtin për Vllazninë. Shtatë minuta më pas Hoxhaj nuk fali duke kompletuar sfidën e tij perfekte, “poker” golash ndërsa shkodranët shijojë golin e pestë.
Skënderbeu u përpoq të reagonte por goli i Mensah në minutën e 62-të vlen thjeshtë për statistika duke sigluar shifrat përfundimtare në 5-1, një fitore e madhe në shifra e Vllaznisë që shton dhe me shumë presion tek ndjekësit, ky ishte konfirmimi i radhës se janë ata ekipi për tu mundur. Në sfidën tjetër të javës së 11-të, Kastrioti siguroi një fitore minimale 1-0 përballë Laçit, një fitore që solli dhe rokadë në tabelën e klasifikimit, me krutanët që parakalojnë kurbinasit, në kuotën e 16-të pikëve, dy më shumë se ekipi i Shpëtim Duros. Tekniku kryeqytetas pëson humbjen e parë në drejtim të kurbinasve.
Prodani kaloi krutanët në avantazh në minutën e 23-të ndërsa Xhixha shpërdoroi mundësinë më të mirë për të barazuar shifrat teksa gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Me rezultatin 3-1 përfundoi sfida tjetër Bylis-Apolonia, Beji 22′ , 52′ , Hadroji 72′ / Ymeraliaj 74′ (autogol)
(BalkanWeb)
