Emisioni “Të Paekspozuarit” ka sjellë sot edhe një përmbledhje të ngjarjeve të Shqipërisë të 25 viteve tranzicion. Fajde dhe hashash, hashash dhe fajde. Është një përpjekje dhe qeverisje e çuditshme. Gati e pangjashme me demokracitë e vendeve të tjera lindore. Janë 25 vjet, ku Shqipëria është qeverisur, nga dy partitë e mëdha, të cilat kohë pas kohe e kanë çuar vendin drejt kolapsit ekonomik.
Sot hashashi dhe dje piramidat, dy kërcënime me pasoja të papërsëritshme në jetën e këtij vendi.
Firmat piramidale në Shqipëri zënë fill në ditët e para të demokracisë shqiptare. Piramidën e parë, e cila kaloi pa shumë zhurmë, e krijoi Hajdin Sejdia. Sejdia, ishte një biznesmen, shumë i përfolur i asaj kohe, i njohur për afera nga më joshëset, sidomos për Shqipërinë, që kishte qenë vendi më i izoluar dhe më i varfër i Evropës Lindore. Megjithatë lulëzimi i vërtetë i firmave piramidale, fillon pas vitit 1994. VEFA dhe Gjallica ishin dy firmat më të rëndësishme piramidale që u krijuan në atë kohë. Gjallica me presidente Shemsie Kadrinë, operonte kryesisht në jugun e Shqipërisë. Dhe Vefa Holding ishte kompania më e madhe dhe më e përhapur në Shqipëri. Presidenti i kësaj kompanie ishte Vehbi Alimuçaj. Kamberi, Cenaj apo dhe firma të tjera piramidale u krijuan më tej, në të gjithë Shqipërinë. Më pas, piramidat lulëzuan dhe u shumëzuan si bacilet. Sudja, Populli, Xhaferri, Silva dhe dhjetëra e dhjetëra firma të tjera, u krijuan në të katër anët e vendit. Udhëheqja politike e kohës dhe presidenti Berisha, i shihnin, si lindnin dhe zhvilloheshin këto firma dhe nuk thoshin asgjë. Edhe opozita bënte rolin e sehirxhiut, duke menduar për përfitime politike.
Populli shqiptar, pas indiferencës së shtetit, kaloi gati në ekstazë. Njerëzit menduan, se sa i thjeshtë dhe i bukur paska qenë kapitalizmi. Gjithçka nëpër qendra urbane, shkëlqente. Ishte një shkëlqim i frikshëm. Biznesi i piramidave dalëngadalë po kulmonte. Bizneset e tjera pothuajse u tkurrën dhe u venitën. U bë shumë e vështirë të gjeje një pastrues, qoftë dhe me 400 mijë lekë rrogë.
Qeveria dhe shteti i Sali Berishës, i lodhur nga lufta politike me kundërshtarin, por edhe nga lufta brenda llojit, duket se u dorëzua totalisht te një shtet piramidal. Vendi nuk qeverisej. Edhe media si një pushtet i rëndësishëm, funksiononte në shërbim të piramidave.
Piramidat që u krijuan në vitet ’95, ’96, posaçërisht populli dhe Xhaferri, u përhapen aq shumë, saqë shqiptarët në mënyrë masive therën edhe bagëtitë e tyre, harxhuan edhe qindarkën e fundit, duke i lënë peng tek firmat piramidale.
Por piramidat e këtij lloji, janë ndërtuar në atë mënyrë, që sapo mbërrijnë kulmin, pësojnë një rënie katastrofike. Në të vërtetë, pushteti i kohës, i shfrytëzoi këto piramida për të fituar zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, të vitit 1996. Por dopjo gjashta, të gjithëve u kishte mbetur në dorë. Gjithandej ndihej një atmosferë eksplozive. Këtë atmosferë, e bëri edhe më të rrezikshme, rënia e zgjedhjeve të 26 majit, të vitit 1996.
Vendi, ditë pas dite po shkonte drejt në anarkie të paralajmëruar.
Pas fitores së zgjedhjeve, qeveria dhe shteti u përpoqën ti rrëzonin skemat piramidale. Tani ata kishin fituar dhe piramidat nuk iu duheshin më. Por rënia e njëpasnjëshme e tyre, e kaloi vendin në një gjendje kaotike.
Të majtët që kishin kohë që prisnin dhe kërkonin rrëzimin e Berishës, u duk se gjetën, alibinë e duhur, për tu vendosur në krye të rebelimit. Udhëheqësit e majtë, e kthyen Vlorën si një kryeqytet politik, njëlloj si dikur zonën e parë operative.
Vendi kaloi gati në luftë civile. Shteti ra. Shqipëria kërcënohej për të humbur edhe integritetin e vet territorial. Vendi, pothuajse u shkatërrua dhe shqiptarët humbën në këto piramida 1.2 miliard dollarë. Të vrarët ishin mbi 3000.
20 VJET MË PAS
20 vjet më pas, palët politike kanë ndryshuar vendet. Të majtët janë në pushtet, ndërsa të djathtët në opozitë. Fantazma e së shkuarës është rishfaqur, duke u ulur këmbëkryq në mes të shoqërisë shqiptare. Hashashi është një tjetër veprimtari kriminale, në dukje me pasurinë, jo vetëm të lartë, por dhe shumë të shpejtë.
Sali Berisha dhe pushteti i Partisë Demokratike, e dorëzoi Shqipërinë te socialistët, me Lazaratin si “kryeqytetin e drogës së Evropës”. Socialistët që erdhën në pushtet, e rrëzuan Lazaratin dhe u duk se Shqipëria po ndahej përfundimisht nga droga. Admirimi për Rilindjen e Edi Ramës, pas operacionit të Lazaratit u rrit. Por me kalimin e ditëve, Shqipëria filloi të kthehej në një Lazarat të madh.
Masivizimi i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ose hashashit, siç quhet rëndom kohët e fundit në vendin tonë, është kthyer në një burim jetese për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.
Sot, në muajt e fundit të mandatit qeverisës të Rilindjes, e gjithë Shqipëria prodhon hashash.
Një vend me bujqësi të falimentuar, pa asnjë perspektivë zhvillimi, bën vetëm propagandë dhe ndonjë investim, apo koncesion, me qëllim pasurimin e zyrtarëve. Me një papunësi alarmante, ku dominojnë të rinjtë e papunë, vendi është kthyer në kontingjent i një veprimtarie kriminale. Duket që shpresa e vetme është hashashi.
Kryeministri Rama, më shumë se tre vjet më parë, premtoi 300 mijë vende të reja pune. Sot, duket se të vetmet vende pune që qeveria ka hapur, janë ato të punësimit sezonal, në fushat dhe magazinat e hashashit.
Ashtu si dje te piramidat, entuziazmi që ka përfshirë qytezat e vogla dhe fshatrat e Shqipërisë, buron nga fakti, se njerëzit besojnë, se pas kësaj veprimtarie fitimprurëse, fshihen qeveritarët. Kur bisedon me qytetarë të ndryshëm, në zona të cilat kanë një shkallë të lartë të kultivimit të hashashit, ata flasin gjithmonë me emra konkretë, të zyrtarëve të lartë. Njerëzit flasin për parcela dhjetëra hektarëshe, të nipërve, kushërinjve apo krushqive të pushtetarëve. Opozita shqiptare shkon edhe më tej. Ajo akuzon si të implikuar direkt në këtë biznes kriminal edhe policinë e shtetit.
Megjithatë qeveria, mbrohet duke deklaruar shifrat e asgjësimit dhe të kapjes së ngarkesave të mëdha me hashash. Edicionet e lajmeve të televizioneve dhe portalet online, po bombardohen më pamje të gatshme, të servirura nga Ministria e Brendshme, të aksioneve të përditshme të Policisë. Sipas policisë, janë më shumë se dy milionë bimë të asgjësuara, në aksionet e përditshme. Policët nuk dallojnë më nga bujqit me kosë në dorë. Ata iu janë qepur kodrave dhe maleve, për të vjelë hashashin e mbjell gjithandej.
Herë pas here policia thërret gazetarë lokalë por dhe ndonjë gazetar të rëndësishëm ndërkombëtar, duke i çuar me helikopter te parcelat e hashashit.
Rasti më flagrant është ai i gazetarit shumë të njohur britanik Tim Judah, i cili, pasi mori informacion nga një Shqiptar, që banon në Itali, për hashashin e mbjell afër shtëpisë së tij, gazetari i famshëm i kërkoi ministrit Tahiri, të vinte në Shqipëri, për të parë këtë hashash.
Ministri Tahiri, jo vetëm e pranoi kërkesën e tij por e siguroi të shkonin bashkë për të asgjësuar hashashin. Shihni këto foto, të postuara nga vetë ministri Tahiri ku edhe një gazetarë i madhi prestigjiozes “The Economis”, përdoret në një mënyrë të shëmtuar.
Nuk mungojnë shpesh të hidhen edhe “Teza” ekonomike, sipas të cilave kultivimi i hashashit do të rrisë GDP-në e vendit.
Por e vërteta është një gjë krejt tjetër. Ky aktivitet i paligjshëm, me pasoja tepër të rrezikshme për vendin, duket se tolerohet nga strukturat shtetërore.
Çdo gjë, që nga importi i farërave deri tek mbjellja, rritja, korrja, vjelja dhe më pas eksporti, kalojnë përmes disa procese që nuk ka se si të mos vëzhgohen dhe kapen nga shteti. Aksionet e përditshme, të policive të vendeve fqinjë, për kapjen e ngarkesave me tonelata hashash, që vijnë nga Shqipëria, kanë pushtuar faqet e para të shtypit perëndimor.
Kryeministri Edi Rama, mohon të ketë sipërfaqe të mëdha ja të mbjella me kanabis, por shifrat që ofron Ministira e Brendshme, për asgjësimin e kësaj bime, që kapen pafund, çdo ditë, sasi të mëdha, brenda dhe jashtë vendit e përgënjeshtrojnë z. Rama.
Ndërtimi i pistave periferike, avionët që ulen dhe ngrihen në këto pista, zbulohen dhe kapen nga policia vetëm atëherë kur prishen, në zbritje ose, kur nuk ngrihen dot nga sasia e madhe e kanabisit.
Gjëja më e çuditshme në këtë histori, po ndodhë me trupin diplomatik shqiptar. Ambasadoret duken të pa interesuar dhe çuditërisht nuk flasin për kanabizimin e Shqipërisë. Qytetarët Shqiptarë kanë parë rëndom Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadoren Vlahutin duke ngarë biçikletat në ditë paradash, apo festimesh të ndryshme, por për kanabis ata janë gojëkyçur.
Politikanët shpresojnë të marrin votat e qytetarëve, me këtë liberalizim masiv të hashashit. Dibra duket që e tregoi një fenomen të tillë. Socialistët morën aty më shumë vota, se sa ata donin.
Gjithandej përflitet, se një pjesë e madhe e parave të hashashit, do të përdoret për fushatën elektorale, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë vendi, i pushtuar nga ekonomia informale dhe kriminale e hashashit, mund të shkojë në një përplasje masive mes bandave. Shenjat kanë filluar të duken. Sikur të mos mjaftojë kjo, zyrtarë të qeverisë duan të liberalizojnë dhe ligjin për përdoruesit.
Grupet e strukturuara kriminale, duke financuar në politikë, do të kërkojnë të marrin në dorë drejtimin e vendit.
Kujtesa e popullit tonë, duket shumë e shkurtër dhe e varfër… Viti famëkeq ’97-të nuk është dhe aq i largët…1996 dhe 2016 ngjajnë me njëri – tjetrin, si dy vëllezër binjakë.
(BalkanWeb)
