Partia e Lirisë e cilëson fikjen e sinjalit të News24 dhe pengimin e gazetarëve për të hyrë në ambientet e tyre të punës, një akt të paprecedent dhe kriminal ndaj fjalës së lirë.

Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Mardhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Znj. Arla Merja tha se ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj medias së lirë, një akt censure brutal, i denjë për regjimet më të errëta të historisë, ku e vërteta mbahet peng dhe qytetarët privohen nga e drejta për t’u informuar.

“Kjo ngjarje e rëndë shënon një kthesë alarmante për Shqipërinë. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një konflikt apo masë të përkohshme, por me një strategji të mirëmenduar për të mbyllur gojën e mediave dhe për t’i kthyer gazetarët në objektiva të një pushteti që i sheh si armiq.

Edi Rama dhe regjimi i tij kanë treguar hapur se nuk e njohin kufirin kur bëhet fjalë për të kontrolluar fjalën e lirë. Këtë e dëshmoi qartë edhe drafti i ri i Kodit Penal, i cili është provë e hapur e tentativës për montimin e një diktature dhe instalimin e një regjimi, i cili priret tu privojë përveç mediave edhe të gjithë qytetarëve  fjalën e lirë.

Nga presioni i vazhdueshëm mbi mediat, deri te aktet e hapura të dhunës dhe censurës, ky është vetëm hapi i radhës në rrugën e rrezikshme të një autokracie, ku arma më e fuqishme e pushtetit është frika dhe heshtja e detyruar.

Partia e Lirisë dënon me forcë këtë agresion të neveritshëm dhe kërkojmë rikthimin e menjëhershëm të sinjalit të Neës24, si dhe garantimin e plotë të të drejtës së gazetarëve për të punuar të lirë dhe pa presion. Çdo pengesë, çdo bllokim dhe çdo akt dhune ndaj medias është një goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Shqipëria nuk mund të pranojë të kthehet në një vend ku fjala e lirë shuhet me urdhra politike dhe ku gazetarët rrethohen me armë. Ky regjim duhet ndalur tani, përpara se të shuhet çdo dritë lirie në këtë vend”, thuhet në deklaratën e Partisë së Lirisë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb