Tanket izraelite kanë mbërritur në qendër të qytetit Rafah. Kështu raportojnë mediat izraelite, ndërsa agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinez (UNRëA) thotë se në 3 javët e fundit 1 milion palestinezë janë larguar nga Rafah. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar dhe Gjykata e Drejtësisë i kërkojnë Izraelit të mos sulmojë Rafah, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të vazhdojë luftën kundër Hamasit. Perëndimi dënoi sulmin ajror të ditës së diel i cili la të vrarë 45 palestinezë dhe qindra të tjerë u plagosën.

Pavarësisht nga thirrjet e ndërkombëtarëve Izraeli ka vijuar sulmet në Rafah duke shkaktuar vdekjen e 7 të tjerëve, ndërsa 6 raportohet të jetë numri i të plagosurve.

Kryeministri izraelit shprehet i vendosur se “nuk kam ndërmend ta përfundoj luftën përpara se të arrihet çdo qëllim”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) vendosi të premten se Izraeli duhet të ndalojë menjëherë ofensivën e tij në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, dhe të hapë kalimin kufitar Rafah për të lejuar ndihmat humanitare të hyjnë pa pengesa. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë sot një takim urgjent me kërkesë të Algjerisë, për të diskutuar sulmin në Rafah.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb