Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi Panamanë mëngjesin e së premtes, duke shkaktuar lëkundje të forta dhe evakuime në disa zona të vendit. Dridhjet u ndjenë deri në kryeqytetin Panama City, ku banorët u larguan nga ndërtesat për arsye sigurie.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit ishte pranë skajit jugor të Panamasë, rreth 14 kilometra në jugperëndim të komunitetit të largët Pitaloza Arriba.
Pas lëkundjeve, shumë qytetarë dolën në hapësira të hapura, ndërsa prisnin informacione zyrtare për pasojat dhe dëmet e mundshme.
Sistemi Amerikan i Paralajmërimit për Cunami njoftoi për një kërcënim të mundshëm nga valët e cunamit përgjatë disa pjesëve të brigjeve të Oqeanit Paqësor.
Paralajmërimi përfshiu Panamanë, Kosta Rikën, El Salvadorin, Perunë, Meksikën, Guatemalën, Nikaraguan, Kolumbinë dhe Ekuadorin.
Autoritetet po vlerësojnë rrezikun për zonat bregdetare, ndërsa situata mbetet në monitorim. Paralajmërimi për cunami nuk do të thotë domosdoshmërisht se valë të mëdha kanë mbërritur në brigje.
Në informacionet fillestare nuk është bërë i ditur një bilanc i konfirmuar i viktimave apo i dëmeve materiale.
Temblor Panamá 8.0 https://t.co/uTxDdLxJBs
— Noelia Hazim (@HazimNoelia) October 9, 2026
