Një objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, në Njësinë Administrative nr. 4 në Tiranë, është konfiskuar për interes publik pas konstaktimit të shkeljeve të rënda ligjore në ndërtim dhe përdorim. Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua nga strukturat e Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit pranë Bashkisë Tiranë.
Nga verifikimet rezultoi se objekti ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, konkretisht me shtimin e kateve të 10-të dhe të 11-të në një pallat të miratuar si 9-katësh, si dhe me ndërtimin e një pjese të katit të 12-të. Autoritetet konstatuan gjithashtu se godina ishte vënë në shfrytëzim pa certifikatë përdorimi.
Bëhet fjalë për një pallat që nuk ka përfunduar akoma plotësisht, dhe deri tani askush nuk banon në të. Gazetarja Xhensila Kodra raporton për BalkanWeb se ndërtimi është nisur fillimisht nga kompania” Sky construction shpk” e M.J, i cili sipas burimeve nuk ka mundur ta përfundojë për çështje financash, dhe ka vijuar nga A.Sh. Katet pa leje janë zbuluar nga kontrollet e përbashkëta mes policisë dhe IMT-së.
NJOFTIMI I POLICISE
Konfiskohet për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, ndërtuar dhe përdorur në kundërshtim me ligjin. Si rezultat i një aksioni të përbashkët ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë, nëpërmjet Drejtorisë së Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, ndërmarrë në zbatim të ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik, është konfiskuar për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi, në rrugën “Llukë Kaçaj”, Njësia Administrative Nr. 4, Tiranë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, kati i 10 dhe i 11 i objektit 9-katësh dhe një pjesë e katit të 12 të tij.
Gjithashtu, u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim, pa certifikatë përdorimi. Referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi rezultoi mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, kanë referuar disa herë materiale procedurale në Prokurori, për shkelje të konstatuara në këtë objekt.
Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ngarkuara për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve kundër mjedisit në tërësi.
Denoncimi ndaj shefit të komisariatit, Feliks Hoda: Ndërhyn personalisht për të lejuar paligjshmërinë
Zona ku janë konstatuar katet pa leje është nën juridiksionin e Komisariatit nr. 4, të drejtuar nga Feliks Hoda. Në një denoncim në media, ka qenë një inspektor policie i cili akuzon drejtpërdrejt shefin e Komisariatit, Hoda, duke pretenduar se ai ndërhyn personalisht për të lejuar paligjshmërinë. “Ky shef komisariati nuk është asgjë më shumë se një gjobaxhi që merr 3 mijë euro për çdo ndërtim pa leje. Ai na telefonon personalisht dhe na kërkon që të ‘bëjmë një sy qorr’ ndaj këtyre objekteve,” thuhet në dëshminë e inspektorit, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim.
Ndonëse policia deklaron se ka referuar materiale në Prokurori, fakti që godina përfundoi dhe u banua ngre dyshime të forta për efektivitetin e kontrollit të territorit.
AMP procedon 2 efektivë të Komisariatit 4
Gjatë monitorimit të mediave elektronike janë konstatuar raportime se në një objekt shumë katësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, Nj. Administrative nr. 4, janë ndërtuar 2 kate banimi, në tejkalim të atyre të përcaktuara në lejën përkatëse leshuar nga Bashkia Tiranë.
Pas verifikimeve të kryera nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, ka rezultuar se objekti është ndërtuar në tejkalim të lejës së ndërtimit mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik, referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka administruar dokumentacionin shkresor si edhe ka marrë deklarimet e strukturave policore përkatëse, ku bazuar në veprimet e para hetimore ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
K. M., me detyrë Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.
S. K., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
