Një seancë e jashtëzakonshme e Qeverisë së Serbisë, e mbajtur më 25 janar, u paralajmërua si “seancë tematike për çështje strategjike”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se do të diskutoheshin dy kërkesa të SHBA-së për partneritetin strategjik, por ato nuk u përmendën fare. Në vend të tyre, seanca u dominua nga pyetjet dhe qortimet e Vuçiqit ndaj zyrtarëve shtetërorë.
Me ton të rreptë, ai i mori në pyetje ministrat dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike, kritikoi etikën e tyre të punës, shijimin e privilegjeve dhe udhëtimeve, si dhe i ftoi të largoheshin vetë nëse nuk kishin “energji dhe dëshirë të mjaftueshme”.
Pas seancës së Qeverisë ku Vuçiq qortoi ministrat, kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, i njoftoi qytetarët se po mendohet për ristrukturimin e kabinetit të tij në pranverë.
“Mendoj se ka ardhur koha që të japim llogari bazuar në nivelin e përfshirjes suaj”, tha ai gjatë një interviste për Radio-Televizionin e Serbisë më 27 janar.
“Paralajmërimi për ristrukturim ka synim frikësimin dhe disiplinimin e anëtarëve aktualë të Qeverisë, si dhe prodhimin e disa ngjarjeve pseudo-politike dhe manipulimeve, që do t’i largonin sytë e qytetarëve nga problemet serioze që ekzistojnë në shtet”, vlerëson Stojilkoviq.
Qeverinë aktuale të udhëhequr nga Macut e zgjodhi Parlamenti i Serbisë në prill të vitit të kaluar.
Paraardhësi i tij, Millosh Vuçeviq, dha dorëheqje nga kjo pozitë pas presionit të opinionit publik, për shkak të sulmeve të aktivistëve të Partisë Përparimtare Serbe ndaj një grupi studentësh, në janar të vitit 2025. (REL)
