Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj deklaron se Partia Socialiste tashmë nuk e mbron dot më zv.kryeministren Belinda Balluku, të pezulluar nga drejtësia, pas deklaratave të forta që kanë bërë Prokurorët e SPAK në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku kanë kërkuar arrestimin e saj.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj ka komentuar deklaratën e Prokurorit të SPAK sipas të cilit, elementë të krimit të organizuar apo anëtarë të kabinetit të Ballukut kanë kërcënuar dëshmitarët në hetimet ndaj zv.kryeministres.

Po ashtu, Shehaj thotë se sipas SPAK, pozitat e Belinda Ballukut para drejtësisë me vijimin e hetimeve janë rënduar, duke rrezikuar tashmë jo 10, por 35 vite burg.

“Dëshmitarët e Belinda Ballukut janë kërcënuar nga elementë të krimit të organizuar. Jo vetëm kaq por anëtarë të kabinetit të Ballukut kanë kërcënuar dëshmitarët dhe kanë tentuar t’i blejnë ata. Këtë ka thënë sot Prokurori i SPAK në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Jo vetëm kaq por Belinda Balluku rrezikon plot 35 vite burg për atë që ka bërë”, shprehet Shehaj.

Sipas kreut të Mundësia, pushtetarët e korruptuar të qeverisjes socialiste betejën me drejtësinë e kanë të humbur, sepse Perëndimi e ka vendosur që fundi i tyre është ndëshkimi për abuzimet që kanë bërë në kurriz të popullit shqiptar.

“E keni kot! Belinda Balluku është e pambrojtshme.
Të korruptuarit e kanë të humbur betejën me drejtësinë, sepse kjo është ajo çfarë ka vendosur Perëndimi: ndëshkimin e të korruptuarve dhe një Shqipëri normale!”, shkruan Shehaj në rrjetet sociale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb