Operatorët e televizioneve në Tiranë zhvilluan sot një protestë simbolike në ambientet e Gjykata e Tiranës. Ky reagim erdhi pas incidentit te se martes kur kolegu i tyre, operatori i News24, Aldo Kashri u lëndua gjatë protestës kombëtare të organizuar nga Partia Demokratike.
Si formë solidariteti dhe reagimi ndaj dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, operatorët vendosën të mos filmonin përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të cilët u paraqitën në Gjykatën e Tiranës, ku u zhvillua seanca për caktimin e masave të sigurisë ndaj protestuesve të arrestuar.
Gjatë protestës së 10 shkurtit, Aldo Kashri u përfshi nga flakët e shkaktuara nga hedhja e molotovëve, ndërsa ndodhej mbi automjetin e televizionit duke filmuar zhvillimet në terren. Falë reagimit të menjëhershëm të kolegëve të tij, u shmangën pasoja më të rënda, ndërsa ai pësoi djegie të lehta në duar.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së gazetarëve dhe operatorëve në terren, veçanërisht gjatë protestave dhe situatave të tensionuara, duke nxitur reagime dhe thirrje për më shumë mbrojtje për punonjësit e medias.
