Rruga e re Maliq–Lozhan–Strelcë ka pësuar çarje anësore, duke ngritur sërish pikëpyetje dhe shqetësime serioze mbi sigurinë dhe cilësinë e punimeve në infrastrukturën rrugore në Shqipëri. Siç shihet edhe nga pamjet segmenti rrugor është dëmtuar ndjeshëm, ndërsa anësoret kanë pësuar rrëshqitje.
Dëmtimet janë konstatuar vetëm pak kohë pas inaugurimit të rrugës, ç’ka shton dyshimet mbi standardet e ndërtimit.
Kjo situatë kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës. Aksi Maliq–Lozhan–Strelcë u promovua si një investim strategjik, pasi lidh qytetin e Maliqit me Gramshin dhe zonat përreth, duke krijuar një korridor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të zonës.
Ky segment i ri rrugor, me një gjatësi prej 18.8 kilometrash, konsiderohet një hallkë kyçe për lidhjen e fshatrave të Qarkut Korçë me qendrat urbane. Rikonstruksioni i rrugës u realizua me fonde të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, me një vlerë rreth 1.4 miliard lekë dhe është ndërtuar nga “Gjikuria”.

