Rruga që lidh zonën D të minierës së Bulqizës me rrugën nacionale në Qafën e Buallit është pa asnjë element sigurie. Kjo rrugë në të cilën kalojnë rreth 2 mijë punëtorë në ditë prej vitesh ka qenë problem për drejtuesit e mjeteve të transportit të punëtorëve, makinave private dhe atyre të tonazhit të rëndë.
Në asnjë segment kjo rrugë nuk ka mbrojtëse metalike anësore që mund të pengojnë rënien e makinave në humnerë. Pikërisht një ndër shkaqet e tragjedisë së një dite më parë ku humbën jetën 2 persona dhe u plagos një tjetër, është edhe mungesa e sigurisë.
Rruga është e shtruar me zhavorr, i cili në ditët e thata të verës bëhet shumë i rrezikshëm. Automjeti tip “Nissan” që udhëtonin tre persona ditën e djeshme dyshohet se ka rrëshqitur nga zhavorri në kthesën pranë vendit të quajtur “Antenat”.
Drejtuesit e mjeteve kërkojnë që kësaj rruge t’i vendosen mbrojtëset anësore pasi çdo subjekt minerar paguan taksa ndaj shtetit dhe pushtetit vendor.
Buran Gjoka e Destan Gjeta po ktheheshin nga puna në një galeri kromi kur makina me të cilën udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në greminë. Ata humbën jetën në vend për shkak të plagëve të marra. Por ky nuk është aksidenti i vetëm në këtë zonë pasi më parë janë aksidentuar shumë automjete, mes tyre edhe një furgon me punëtorë.
(BalkanWeb)
