FIER- Kokën e mban ulur, syzet nuk i heq për të mos i parë shikimin, por zëri nuk e fsheh dot trazimin e tij. Donjet Beqiraj, vëllai i 36-vjeçarit Kreshnik Beqiraj që u masakrua nga shoku i tij, ende kërkon pjesët e pagjetura të trupit të tij.

Sot bashkë me disa shokë të Kreshnikut, Donjeti ka kryer kërkime në zonën ku u gjet një pjesë e trupit të masakruar. Ai thotë se ka marrë informacione se pjesët e pagjetura ndodhen ende në këtë zonë.

Kreshnik Beqiraj u zhduk më 22 qershor të 2017-ës por pjesët e copëtuara të trupit u zbuluan rreth një muaj më parë dhe për vrasjen u arrestua shoku i tij Albert Zekaj. Donjeti ka ende dyshime se ai nuk ka qenë vrasësi i vetëm

Pse jeni këtu sot?
Jam këtu për arsye se deri sot nuk kemi gjetur gjithë eshtrat e vëllait tim dhe të dhënat janë që eshtrat e tjera të vëllait tim ndodhen në këtë vend akoma. Dua të mbarojë ky proces sa më shpejt, të zbardhet e vërteta, bashkë me bashkëpunimin e Prokurorisë së Fierit që ka ndihmuar shumë deri sot, të bëjnë çfarë është e mundur. Çdo gjë të zbardhet sa më shpejt dhe kërkoj ndihmë nga shteti.

Iniciativën për kërkimin e keni marrë vetë, nuk keni njoftuar policinë për të marrë ndihmë?
Kam marrë të dhëna që këtu ndodhen akoma eshtra të vëllait tim. Nuk janë plotësuar eshtrat dhe dua të bëhet ceremonia e vëllait tim ashtu si duhet.

Policia nuk ju ka ndihmuar?
Policia po bën punën e saj por unë nuk mund t’i lë akoma eshtrat e vëllait tim në këtë vend. Më vjen shumë keq

Pak kohë më parë shprehët dyshime se personi që është aktualisht në pranga nuk është autori i vetëm i kësaj ngjarjeje. Vazhdoni të keni të njëjtat dyshime?
Unë kërkoj që shteti të vazhdojë punën e tij. Kjo ngjarje të zbardhet sa më shumë dhe çdo fajtor të arrestohet dhe të dalë para ligjit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb