Gazetarja Klodiana Lala, ka zbardhur detaje të reja nga atentati mafioz që tronditi vendin ditën e djeshme pranë aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani, një emër i njohur për lidhjet e tij me botën e krimit.

Lala komentoi pamjet ekskluzive të siguruara për BalkanWeb dhe News24, të cilat tregojnë me qartësi momentet e atentatit dhe mënyrën e veprimit të autorëve.

“Autorët kanë vepruar si trupa paramilitare ose komando. Në momentin që një prej tyre është në aksion, një tjetër del pas tij duke i mbrojtur krahët. Janë tre persona të veshur me të zeza dhe me kapele që dalin dhe qëllojnë drejt makinës,” deklaroi gazetarja.

Sipas saj, pas breshërisë së parë me armë automatike, një prej atentatorëve i afrohet mjetit dhe ndërhyn nga dera e pasagjerit, duke e qëlluar sërish në mënyrë të drejtpërdrejtë Gilmando Danin, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.

“Njëri nga autorët afrohet në makinë, hap derën e pasagjerit dhe qëllon sërish drejt Danit. Ai madje lë kallashnikovin në tokë përpara se të përdorë pistoletën, ndoshta për të pasur një goditje më të saktë,” shtoi Lala.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb