Pamjet e kamerave të sigurisë në hotelin ku u vranë biznesmenët Bujar Lika e Paulin Gjergji Marku u hoqën para se policia të mbërrinte në vendin e krimit.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se ishte administratorja e hotelit, A.Isufi, e cila urdhëroi njërin nga punonjësit e saj të hiqte serverin e kamerave të sigurisë. Këtë fakt e pranon edhe vetë gruaja në dëshminë e saj dhënë për hetuesit, por thotë se këtë veprim e bëri, nga frika se mos vrasësit ktheheshin dhe i merrnin DVR, për të zhdukur provat…

“Në orën 21:43 të mbrëmjes së 30 majit me telefonoi kamerieri dhe më tha ‘është bërë nami në lokal dhe është plagosur dikush’. E pyeta kush, dhe ai më tha “njëri nga ata të dy personat që ndodhej këtu”, por s’e dinte se cili prej tyre. I kërkova të hynte brenda lokalit dhe te shihte, por tha “kam frikë, pasi nuk di si kam shpëtuar as vetë”. E pyeta se kush ishin ata që gjuajtën dhe ai mu përgjigj se ishin të veshur si polica dhe kishin maskë. Në këto momente i kam thënë të hiqte DVR e kamerave për arsye se mos vinte ndonjë nga këta personat dhe t’i merrte për të zhdukur provat. Pas kësaj bisede kam marrë ne telefon policinë në numrin 129 dhe kam njoftuar me ngjarjen që kishte ndodhur në ambientet e biznesit tim”.

Administratorja e hotel A&A u shpjegoi më tej hetuesve se pamjet e kamerave të sigurisë ia dorëzoi një personi që iu prezantua si punonjës policie
“Kur shkova te lokali kam parë që kishte aty shumë persona të lagjes, por asnjë nuk ishte futur brenda. Më pas erdhi policia për të bërë veprimet. Dua të sqaroj se kur ka ardhur policia, ma kërkoi DVR një djalë civil të cilin nuk e njihja. Unë i thashë që nuk i kam DVR. Më pas ai mu prezantua si punonjës policie dhe unë i kam dorëzuar DVR e lokalit”.

Në pamjet filmike, të cilat nuk dihet nëse i janë dorëzuar të plota prokurorisë, shfaqen 4 personat të veshur me jelekë me mbishkrimin policia, të maskuar me kapuç në kohë të armatosur. Njëri prej tyre, që u identifikua si Eduart Lama shfaqet teksa hyn brenda ambienteve të lokalit, dhe qëllon në drejtim të biznesmenëve, ndërsa në parking mbahen peng nën kërcënimin e armës djemtë e Paulin Markut. Bujar Lika kundërpërgjigjet me armë dhe e plagos në këmbë.

Më pas, atentatori qëllon me breshëri dhe për pasojë humb jetën Bujar Lika, ndërsa Paulin Gjergji Marku ndërron jetë në spitalin e Traumës. I dyshuari Lama u arrestua në një klinikë private në Tiranë, 20 ditë pas ngjarjes, kur u paraqit për të bërë ndërhyrje, për shkak se rrezikonte jetën nga plaga e shkaktuar me armë zjarri. Në pranga ranë dhe dy mjekët që realizuan ndërhyrjen. Tri ditë më parë, në zonën e Astirit u arrestua edhe Ilir Xhepa, ndërsa në kërkim janë dy atentatorët e tjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb