Në Gjermani, koalicioni qeveritar ra dakord për modernizimin e rregullave për shërbimin ushtarak. Në të ardhmen, do të ketë kontrolle mjekësore për të gjithë të rinjtë, si hap para një rekrutimi. Por fillimisht do të kërkohen vullnetarë për ushtrinë gjermane.

Analisti i Deutsche Welle, Auron Dodi, në një lidhje direkte me News24, tha se modeli i ri parashikon një sistem të bazuar në shërbimin ushtarak vullnetar, të shoqëruar me mundësinë e shërbimit me detyrim, në rast nevoje.

Intervista:

News24: Për se ra dakord me pak fjalë CDU/CSU konservatore me socialdemokratët?

A.Dodi: U ra dakord për një model të ri për forcat e armatosura gjermane. Modeli i ri parashikon një sistem të bazuar në shërbimin ushtarak vullnetar, të shoqëruar me mundësinë e shërbimit me detyrim, në rast nevoje. Më konkretisht do të zbatohet një sistem regjistrimi i detyrueshëm dhe kontrolli mjekësor, për të gjithë të rinjtë që mund të angazhohen në ushtri në një vit të caktuar. Që të mësohet se sa vetë mund të rekrutohen, në rast nevoje. Por a duhet të thirren me detyrim për të shëbyer rekrutët, këtë do ta vendosë parlamenti, Bundestagu.

News24: Të çfarë moshe kërkohet të jenë rekrutët e rinj të ushtrisë gjermane?

A.Dodi: U ra dakord për një kontroll mjekësor për të rinjtë 18 vjeç e lart. Për personat e lindur që në vitin 2008 ose më vonë. Te të tjerët, më të vjetrit në moshë, kontrollet mjekësore para një rekrutimi janë të mundura, nëse Bundestagu e vendos këtë me një dekret juridik. Për momentin kjo megjithatë nuk është planifikuar. Në hapa konkretë: që nga 1 janari 2026, në një fazë të parë, 18-vjeçarët do të marrin një pyetësor me kërkesa për shëndetin dhe motivimin e tyre për të shërbyer në ushtri. Për meshkujt, plotësimi i këtij pyetësori është i detyrueshëm, për femrat fakultativ. Ky pyetësor është pjesa e parë e kontrollit mjekësor për të krijuar një përshtypje për aftësinë e një rekruti. Kontrollet e mirëfillta mjekësore do të bëhen nga mesi i vitit 2027.

News24: A do të thotë kjo që shërbimi ushtarak me detyrim, për të ardhmen e afërt, nuk është me temë diskutimi?

A.Dodi: Po dhe jo. Në rast se nuk ka mjaft të rinj që dalin vullnetarë për të shërbyer do të ketë hapa të tjerë. Jens Spahn, kryetar i grupit parlamentar të CDU-së konservatore në Bundestag tha se “nëse shërbimi vullnetar nuk mjafton, atëherë do të nevojitet edhe shërbimi ushtarak i detyrueshëm”. Kurse ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, nga socialdemokratët (SPD), u shpreh i bindur se nevojat e ushtrisë gjermane do të plotësohen me vullnetarët. Ai i tha kanalit televiziv ZDF se “kjo funksionon në vende të tjera, dhe nuk shoh arsye pse të mos funksionojë në Gjermani”. Socialdemokratët janë të interesuar që të funksionojë vullnetarizmi në shërbimin ushtarak, pasi në kongresin e tyre në verë vendosën që të mos ketë kthim në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të pezulluar (në vitin 2011).

Në projektligj që duhet ta votojë formalisht Bundestagu, tani thuhet se duke marrë parasysh situatën e sigurisë dhe nevojat e personelit të ushtrisë, Bundestagu do të vendosë nëse do të miratojë, të ashtuquajturin “shërbim ushtarak të detyrueshëm nga nevoja”. Por shërbimi ushtarak i detyrueshëm nuk do të vijë automatikisht. Bundestagu duhet të miratojë përpara një ligj të posaçëm. Pra shihet si “zgjidhja e fundit”. Fillimisht, ushtria gjermane përpiqet ta bëjë sa më tërheqës për vullnetarët shërbimin ushtarak.

News24: Në ç’formë planifikon ta bëjë ushtria më tërheqës shërbimin për vullnetarët?

A.Dodi: Ushtria do t’u ofrojë atyre që vijnë vullnetarisht në ushtri një pagë mujore prej 2600 eurosh bruto. Si dhe subvencione të tjera p.sh. për lejedrejtimet e automjeteve. Personat që duan të shërbejnë si vullnetarë për një afat të shkurtër, do të stërviten për detyra bazë, si p.sh. të bëjnë roje dhe në detyra sigurie. Po të rrijnë më gjatë, vullnetarët do të stërviten si personel kryesor për njësitë luftarake.

News24: U diskutua muajt e fundit për një procedurë për t’i thirrur me short rekrutët. U braktis kjo si ide?

A.Dodi: U braktis në formën fillestare, por jo plotësisht. Shorti do të përdoret kur numri i rekrutëve në një vit rezulton më i madh se kërkesat e ushtrisë. Në një rast të tillë mund të përdorej shorti për të vendosur kush do të thirret në ushtri. Prat ani është mjet i fundit në procedurë.

News24: Në çdo vend, edhe në Gjermani, ka persona që refuzojnë të kryejnë ushtrinë. A ka rregulla të reja për ta? Po për pjesëmarrjen e femrave në ushtri, çfarë u vendos?

A.Dodi: Në Gjermani është Neni 4 i Kushtetutës gjermane që lejon ta kundërshtosh detyrimin për të shkuar në ushtri. Në të thuhet se “askush nuk mund të detyrohet kundër ndërgjegjes të kryejë shërbim ushtarak, që përfshin përdorimin e armëve.” Edhe tani, megjithëse mund të të kenë shpallur të përshtatshëm për shërbimin ushtarak apo të të kenë thirrur me short në ushtri, këtë mund të kundërshtosh.

Kundërshtimin për arsye të ndërgjegjes duhet ta paraqesësh në qendrën lokale të karrierës së Bundeswehr-it, Forcave të Armatosura. Këtë e bënë në vitin 2024 mbi 2000 vetë. E bënë paraprakisht, megjithëse thirrja me detyrim në Gjermani nuk është aktivizuar.

Në vend të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, në të kaluarën duhej të kryeje shërbim alternativ civil. Të shërbeje për shembull në qendra kujdesi sanitar, në mbrojtjen klimatike dhe nga katastrofat. Por tani ende nuk është vendosur konkretisht, se si do të organizohet shërbimi alternativ civil.

Sepse që prej pezullimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, është ngritur një shërbim tjetër, vullnetar, i cili tani madje do të forcohet financiarisht.

Përsa i përket pyetjes për femrat: në rastin e femrave, që ato të detyrohen të shërbejnë duhet të ndryshohet kushtetuta e Gjermanisë. Me një shumicë dy të tretash – pa shanse për momentin për miratim – prej konstelacioneve politike.

News24: Cilat janë objektivat për numrin e trupave?

A.Dodi: Kancelari Friedrich Merz ka përforcuar vendosmërinë për t’i bërë Forcat e Armatosura gjermane ushtrinë më të madhe konvencionale në Evropë . Objektivi është një numër prej 460.000 ushtarësh të Gjermanisë, aktivë dhe rezervistë. Ushtria gjermane duhet të rritet me rreth 80.000 ushtarë, sepse kështu e kërkojnë planet e NATO-s. Rritja do të bëhet gradualisht. Deri në fund të vitit 2026, pritet të jenë në shërbim deri 190.000 ushtarë. Dhe deri në vitin 2035, rreth 270.000 ushtarë. Paralelisht do të rriten edhe trupat rezerviste. Deri në vitin 2035 forcat e armatosura gjermane duhet të kenë të paktën 200.000 rezervistë. Po të mos arrihen këto objektiva, Bundestagu mund të debatojë për elementë të detyrueshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: