Timo Werner nuk ka humbur kohë dhe menjëherë pas mbylljes së sezonit të Premier League ka nisur stërvitjen me Chelsea. Sulmuesi gjerman I transferuar nga Leipzig në merkaton e verës zhvilloi seancën e parë në kompleksin sportiv të klubit londinez.
Werner ishte një nga blerjet më të rëndësishme të Bluve të Londrës, që nuk duan të ndalen me kaq. Pasi skuadra e Frank Lampard siguroi pjesmarrjen në Champions, Roman Abramovic ka vendosur të mos pyesë për shpenzimet. Pas Werner dhe Zyech, goditja tjetër e madhe e Chelsea pritet të jetë ajo e Kai Havertz.

Mesfushori i Bayer Leverkusen dhe kombëtarës së Gjermanisë ka hyrë prej kohësh në orbitën e klubit anglez, ndërsa tani mediat në vend janë të bindura se transferimi i tij është vetëm çështje kohe. Sipas tyre palët janë shumë pranë marrëveshjes, e cila mund të konkretizohet brenda muajit korrik. I kërkuar edhe nga klube të tjerë të mëdhenj të Europës, 21-vjeçari vlerësohet 100 milion euro nga Bayer Leverkusen.
(balkanweb)
