Zbardhen emrat e të arrestuarve gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në Vorë, ku u zbulua një punishte falsifikimi e etiketave të produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg.
Sipas policisë, ata janë Florenc Domi administrator i subjektit tregtar dhe Agim Domi magazinier pranë subjektit tregtar “Master AL”.


Operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7, zbuloi në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg.
Gjatë kontrollit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhera kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje.
Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me sigurinë ushqimore në numrin pa pagesë 112.
(BalkanWeb)
