Një zjarr ka rënë sot në fshatin Poshnje në bashkinë Dimal. Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, duke rrezikuar shumë banesa që ndodheshin pranë.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Dimalit dhe Beratit si dhe forcat e ushtrisë së Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Poshnje. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur lokalizimin e shpejt flakëve dhe kanë shmangur rrezikun e përhapjes së tyre drejt shtëpive.
Për fikjen e zjarrit në fshatin Poshnje kanë ndihmuar edhe helikopterët e ushtrisë, me hedhjen e ujit nga lart. Aktualisht zjarri është fikur, ndërkohë që zjarrfikësit janë duke monitoruar disa vatra që vazhdojnë të jenë të nxehta, për të shmangur rrezikun e riaktivizimit të tyre.
Si pasojë e zjarrit janë shkrumbuar shumë hektarë pemë frutore dhe ullinj, por ende nuk ka një përllogaritje të saktë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri në këtë zonë.
(BalkanWeb)
