Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe bimësi në afërsi të zonës së banuar pranë nënstacionit elektrik të Lezhës, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e banesave dhe infrastrukturës energjetike.
Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës, duke afruar rrezikshëm pranë nënstacionit dhe shtëpive të banorëve përreth.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe shërbimit zjarrfikës, të cilët po punojnë intensivisht për të vënë zjarrin nën kontroll dhe për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga qytetarët, ndërsa po shqyrtohet mundësia e evakuimit të banesave në rast përkeqësimi të situatës.
Shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet përkatëse.
