Dy vatra të fuqishme zjarri përfshinë për rreth 9 orë gjatë ditës së sotme një sipërfaqe të konsiderueshme në territorin e Bashkisë Belsh dhe Njësisë Administrative Rrasë duke vënë në rrezik zona të mëdha me bimësi natyrore, ullishte dhe sipërfaqe të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, por edhe banesa.
Përballë kësaj emergjence, autoritetet lokale reaguan dhe pati një mobilizim të menjëhershëm dhe të koordinuar i cili bëri të mundur neutralizimin dhe shuarjen e plotë të flakëve, duke parandaluar një katastrofë të mundshme mjedisore dhe ekonomike, por mbi të gjitha djegie të banesave.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 40 hektarë tokë janë përfshirë nga flakët, ku përveç bimësisë së egër është djegur edhe një sipërfaqe e konsiderueshme me ullinj shumëvjeçarë, të një rëndësie të veçantë për bujqësinë dhe ekonominë.
Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës u përballën me një situatë të përkeqësuar nga era e fortë dhe terreni i thepisur, duke punuar pa ndërprerje për më shumë se 9 orë për të izoluar dhe shuar vatrat e zjarrit. Operacioni përfshiu një forcë të gjerë ndërinstitucionale, të përbërë nga 10 mjete zjarrfikëse, 14 efektivë të MZSH Belsh, 4 efektivë të MZSH Peqin, 4 efektivë të MZSH Lushnjë, 5 efektivë të MZSH Berat 4 efektivë të MZSH Kuçovë, 6 efektivë të ushtrisë (Ministria e Mbrojtjes), 7 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 efektivë të Policisë së Shtetit, 40 punonjës të shërbimeve publike të Bashkisë Belsh, 30 banorë të zonës të angazhuar në mënyrë vullnetare, 2 helikopterë të Emergjencave Civile.
Në këtë përballje të vështirë, një rol vendimtar luajtën edhe bashkitë fqinje, të cilat i erdhën në ndihmë Bashkisë Belsh me forca dhe mjete të specializuara. Bashkitë Gramsh, Kuçovë, Cërrik, Lushnje, Berat dhe Peqin kontribuan me mjete zjarrfikëse dhe personel, duke garantuar ndërhyrje më të shpejtë dhe më efikase përballë përhapjes së flakëve. Falë këtij bashkëpunimi të gjerë dhe reagimit të organizuar, zjarri u shua plotësisht, ndërsa aktualisht strukturat vendore po vijojnë monitorimin e territorit për rrezik rindezjeje dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
Në operacion morën pjesë edhe dy helikopterë që ndërhynë nga ajri, duke ndihmuar në neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht, në terren ndodhen ende efektivët e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e zonës për të shmangur riaktivizimin e ndonjë vatre të fshehur.
Kryetari i Bashkisë Belsh, në një deklaratë për mediat, shprehu falënderime të përzemërta për të gjithë zjarrfikësit, forcat e angazhuara dhe komunitetin që kontribuoi në menaxhimin e kësaj situate të rëndë: “Sakrifica dhe përkushtimi i zjarrfikësve, si dhe ndihma e bashkive fqinje dhe qytetarëve tanë, treguan edhe një herë fuqinë e solidaritetit në kohë të vështira. I falënderoj të gjithë për angazhimin dhe vendosmërinë.”
(BalkanWeb)
