Situata e zjarreve në Bulqizë e Dibër vijon të mbetet kritike. Qindra hektarë pyje halore dhe dushqe janë përshkuar nga zjarri i cili është aktiv prej 10 ditësh.
Më e rënduar situata mbetet në parkun kombëtar “Lurë mali Dejës” ku vatra e zjarrit ka dalë jashtë kontrollit, pasi është zgjeruar në një perimetër të konsiderueshëm, duke e bërë të vështirë e thuajse të pamundur izolimin.
Në terren janë me dhjetëra forca të pushtetit vendor, agjencisë së zonave të mbrojtura, bashkisë Dibër dhe forcat e armatosura. Për shkak të terrenit të vështirë ndërhyrja është problematike dhe me rrezik për të gjithë punonjësit që janë angazhuar në terren.
Ndërkohë, edhe në Bulqizë vatra e zjarrit në malin e “Vlashajt” në Shupenzë ka dalë jashtë kontrollit. Për shkak të erës së fortë, zjarri është përhapur në disa vatra duke kaluar edhe mbi fshatin Godvi.
Terreni i thepisur edhe këtu ka vështirësuar punën e punonjësve të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Bulqizë, të shërbimit pyjor e banorëve të zonës.
Autoritetet vendore kërkojnë ndihmë nga ajri pasi nga terreni është tepër e vështirë fikja e zjarreve, ndërsa dëmi ekonomik sa vjen e rritet.
(BalkanWeb)
