Qindra objekte arkeologjike janë gjetur nga Policia e Fierit, pasi ishin grabitur nga Parku Arkeologjik i Apolonisë në Fier. Operacioni i koduar “Apollonia” çoi në pranga dy persona si dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.

Sipas burimeve zyrtare të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhe të gjatë kohe kanë gërmuar dhe kanë nxjerrë rrethe 230 objekte arkeologjike si bronx, hekur dhe qeramikë.

Sipas policisë këto objekte pasi personat e arrestuar i grumbullonin në banesa i përgatisnin me qellim trafikimin e tyre. Policia tha se në banesën e njërit prej të arrestuarve u sekuestrua një pajisje detektor për gjurmim të antikuarëve.

NJOFTIMI I POLICISË
Gjenden një sasi e konsiderueshme objektesh arkeologjike të lashtësisë, ndërsa është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Apolonia”.
Sektori për Narkotikët dhe Trafiqet në bazë të informacioneve të grumbulluara organizoi një pune hetimore disa mujore ku u bë i mundur realizimi i operacionit në fjale nga I cili u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Toni (Ermir) Fasko, 35 vjeç dhe Saimir Fasko, 38 vjeç, të dy banues në fshatin Radostinë, Fier.
Gjithashtu sipas bluve u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: A.F, 41 vjeç dhe E.F, 53 vjeç.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhe të gjatë kohe në mënyre të paligjshme kanë gërmuar në parkun kombëtar të mbrojtur të Apolonisë ku kanë nxjerrë rreth 230 objekte arkeologjike si bronz, hekur dhe qeramike të cilat pasi i grumbullonin në banesat e tyre i përgatisnin me qellim trafikimin e tyre.

Nga ana e bluve të Fierit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale objekte arkeologjike si bronz, hekur dhe qeramikë të cilat datojnë në periudha të ndryshme historike. Gjithashtu në banesën e njërit prej tyre u sekuestrua një pajisje detektor për gjurmim i antikuarëve.

Materialet arkeologjike të sekuestruara do t’i kalojnë për vlerësim Ministrisë së Kulturës, e cila nga ana e saj ka shprehur vlerësimin për drejtorinë e policisë së Fierit, duke i cilësuar sendet e gjetura si sende me vlera te patjetërsueshme.

Materialet procedurale do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës” dhe “Trafikimi i veprave të artit e kulturës”, kryer në bashkëpunim.

KU U GJETËN OBJEKTET ARKEOLOGJIKE
Ndërkohë News24 ka shkuar edhe në zonën ku janë gjetur nga blutë e Fierit objektet arkeologjike të rëndësisë së veçantë. Pjesa që është gërmuar ndodhet pranë repartit ushtarak, në rrugën që të çon për në fshatrat Kryegjatë dhe Radostinë Fasko, në një distancë jo të vogël nga Apolonia antike.

Kamera e News24 ka filmuar dhe varre të hapur, nga të cilët mund të jenë marrë objekte me vlerë të veçantë arkeologjike.

Tashmë pritet vlerësimi që do t’i bëjë ministria e kulturës objekteve të sekuestruara nga blutë, por paraprakisht është thënë që ato kanë vlerë të patjetërsueshme, duke parë mënyrën e punimit, detajet e skalitura në to dhe gjithçka karakterizon antikuarët e gjetur.
Ndërkaq vijojnë hetimet për ngjarjen në fjalë, pasi një pjesë e objekteve dyshohet se mund të kenë kaluar për shitje jashtë kufijve të Shqipërisë dhe gjithçka do të dalë në dritë pas punës së prokurorisë.

Edhe në zona të tjera të Shqipërisë janë vënë re vitet e fundit gërmime të paligjshme për të cilat nuk ka pasur persona të arrestuar. Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Qyteti antik u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti.

Sipas studiuesve ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Territori i madh i zonës është mbuluar me monumente, shumë prej të cilave të pazbuluara ende.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb