Duket se eksodit të emigracionit nuk i ka shpëtuar as Turqia. Deutche Welle raporton se gjithnjë e më shumë refugjatë me shtetësi turke emigrojnë drejt Gjermanisë, referuar të dhënave të policisë federale gjermane.
Në nëntë muajt e parë të këtij viti, oficerët e policisë gjermane kapën në kufi 5362 shtetas turq të cilët kishin hyrë ilegalisht në Gjermani.
Numri i përgjithshëm për vitin 2021 ishte 2531.
Sipas selisë së policisë federale në Munih, numri i refugjatëve turq që kanë mbërritura nga janari në shtator ishte 254% më i lartë se vitin e shkuar, ndërsa në krahasim me vitin 2020, rritja ishte 368 %.
Po ashtu është rritur edhe numri i kontrabandistëve me nënshtetësi turke që i drejtohen Gjermanisë. Policia raporton 185 persona janë arrestuar këtë vit.
Refugjatët janë duke shkuar drejt Gjermanisë nëpërmjet rrugës ballkanike. Kostoja e rrugës për ta shkon midis 6000 dhe 8000 euro për person.
Turqit zënë vendin e tretë për azil në Gjermani. Sipas Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF), midis janarit dhe tetorit 2022 pothuajse 16,000 turq që kërkonin mbrojtje aplikuan për azil në Gjermani, një rritje prej 175.5%.
Turqia është tani vendi i tretë në listë, pas Sirisë dhe Afganisistanit.
Avokati turk Dündar Kelloglu, parashikon se numri i refugjatëve nga Turqia do të vazhdojë të rritet. Sepse me zgjedhjet në horizont, askush nuk pret që situata politike të lehtësohet.
(BalkanWeb)
