Tensionet mes Iranit dhe Izraelit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi këtë të hënë, pas një vale të re sulmesh raketore nga Irani ndaj territorit izraelit, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme.

Sipas raportimeve zyrtare, sulmet iraniane goditën një rafineri nafte në Izrael si dhe dëmtuan pjesë të rrjetit elektrik. Të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa të paktën 74 të tjerë janë plagosur, shumica në qytetet Tel Aviv dhe Haifa, ku shpërthimet shkaktuan panik dhe dëme materiale.

Në qendër të Izraelit, tre qytetarë u raportuan të vrarë si pasojë e goditjeve direkte, ndërsa të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalet më të afërta.

Ky reagim i ashpër nga Teherani erdhi pasi Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj bazave iraniane të raketave tokë-tokë, duke vrarë ndër të tjera edhe shefin e inteligjencës së Forcave të Armatosura të Iranit.

Ministria e Shëndetësisë iraniane ka bërë të ditur se të paktën 224 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që nga fillimi i përleshjeve të premten, me rreth 90% të viktimave që raportohet të jenë civilë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb