Ka dështuar për të 21-ën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës,sipas mediave kosovare. Propozimi për të votuar komisionin për votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit nuk i mori votat e nevojshme.
53 deputetë votuan pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim.Në këtë mënyrë duke mos pasur votat e nevojshme, seanca u ndërpre. Pas më shumë se tre muajsh nga zgjedhjet, Kosova mbetet pa Kuvend funksional dhe pa qeveri të re.
Bllokimi vjen si pasojë e mospajtimeve rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Kandidatja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë 61 vota në disa tentativa, ndërsa propozimi për votim të fshehtë është kundërshtuar nga opozita dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
Partitë opozitare PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe refuzuan të dërgojnë përfaqësues për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë, duke e bërë të pamundur zhvillimin e tij.
Ato e cilësojnë kandidaturën e Haxhiut si përçarëse dhe kërkojnë që LVV-ja të propozojë një emër tjetër, gjë që kjo e fundit e ka përjashtuar.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari tha se seanca e radhës do të vazhdojë më 27 maj, e martë, në ora 11:00. Pa konstituimin e Kuvendit, nuk mund të formohet as Qeveria e re.
(BalkanWeb)
