Veliaj: “Besimi i prindërve për çerdhet dhe kopshtet publike, komplimenti më i madh”

Përmirësimi i kushteve në çerdhe dhe kopshte nga Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm kërkesat e prindërve për frekuentimin e institucioneve publike parashkollore. Për t’iu përgjigjur kërkesës, Bashkia e Tiranës ka nisur të investojë si në përmirësimin e infrastrukturës në godinat aktuale, por edhe në shtimin e kapaciteteve me mjedise të reja. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS në Njësinë 10, Fatmir Xhafaj, inspektuan punimet në çerdhen “Pranverat”, ku po shtohet kapaciteti nga 150 në 250 fëmijë.

“Njësia 10 është vërtet e vogël si hapësirë, por me ka dendësi të jashtëzakonshme popullsie. Është në zemër të Tiranës, do të thotë se edhe trysnia mbi njësinë për të pasur shërbime për çerdhe e kopshte është i jashtëzakonshëm. Ndihemi disa herë mirënjohës për skuadrën tonë që ka punuar gjatë verës sepse po krijon një hapësirë ku, jo vetëm do të rrisim në kushte shumë dinjitoze çunat dhe gocat e Tiranës, por do të lirojë prindër, që pasi ia besojnë fëmijët çerdheve tona, të kenë mundësi të kenë aktivitetin e t’i rikthehen punës së tyre”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se kërkesa e madhe për çerdhet dhe kopshtet publike është një vlerësim për punën e bërë deri më tani, por edhe një përgjegjësi më e madhe për t’iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve. “Kemi pasur një dyndje të jashtëzakonshme në çerdhet e Tiranës, kemi marrë ndoshta komplimentin më të madh kur njerëzit të fusin mik edhe për t’u futur në çerdhe e kopshte. Besimi se këto çerdhe e kopshte publike kanë një cilësi kaq të lartë, duhet shpërblyer me investime”, tha Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndaj, ai theksoi se ashtu si në këtë çerdhe, Bashkia e Tiranës po punon që të shfrytëzojë çdo hapësirë publike për shtimin e mjediseve të reja. “Në vende si kjo hapësirë në zemër të Tiranës, ku edhe shpronësimi është i shtrenjtë, ku edhe toka e lirë është e paktë, po mundohemi të shfrytëzojmë maksimalisht; pra, kemi dyfishuar kapacitetin e çerdhes, duke shtuar 4 grupe të tjera dhe do të mundohemi që në të gjithë territorin, aty ku ka vend për hapësira të reja, të zgjerojmë hapësirat e akomodimit, të shtojmë grupet apo edhe terrenet sportive, siç do të bëjmë edhe këtu një kënd lodrash”, shtoi kryebashkiaku.

Për të ulur fluksin e kërkesës për institucionet publike, ai tha se po punohet që të ngrihen çerdhe dhe kopshte pranë ndërmarrjeve apo kompanive të mëdha private. “Këtë vit do të sjellim një risi: Siç e kërkon ligji dhe siç është tradita në të gjitha vendet e BE-së, kompanitë që kanë një numër të caktuar punonjësish, mbi 100 punonjës, si kompanitë e telekomunikacionit, bankave, të fillojnë të instalojnë në mjediset e tyre çerdhe dhe kopshte. Është një mënyrë për t’u siguruar që prindi që punon e ka shumë të afërt vendin ku po rritet fëmija i tij, por edhe për t’i hequr një ngarkesë qytetit”, shtoi Veliaj. Ndërkohë, ai u bëri apel të gjithë prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat që janë më afër vendbanimit të tyre.

Deputeti i PS në Njësinë 10, Fatmir Xhafaj, falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen e treguar për fëmijët e kësaj njësie, ndërsa theksoi faktin se investimet e bëra kanë rritur interesin e prindërve për çerdhet dhe kopshtet publike. “Dëshiroj të falenderoj bashkinë për këtë nismë dhe shpenzim të një pjese të buxhetit të saj për çerdhen e Njësisë 10. Ka qenë jetike, unë kam pasur mundësinë ta ndjej nga kërkesat e banorëve, edhe si deputet i zonës, interesin e veçantë që kanë për kapacitete shumë më të zgjeruara në shërbimin në këtë fushë. Natyrisht, ky është një lajm shumë, shumë i mirë, fakti që nga 150 mundësi akomodimi, do të shkohet në 250 në këtë çerdhe. Ky është tregues edhe i interesit në rritje të njerëzve, por edhe i aftësisë së bashkisë për t’i menaxhuar më mirë fondet dhe taksat e qytetarëve, në funksion edhe të problematikave dhe të shqetësimeve që kanë ata”, tha Xhafaj.

Me ndërtimin e ambienteve të reja në çerdhe ulet numri i fëmijëve në një grup si dhe krijohen 4 grupe të reja. Nëpërmjet këtij investimi është parashikuar shtesë ambientesh që do të përdoren për krijimin e njё salle atelie për pikturat, e cila do të përdoret për ekspozitat e punimeve të fëmijëve tё grupit tё tretё, si dhe një kënd për teatrin e fëmijëve. Nё administratё parashikohet të shtohet dhoma e mjekut, dhoma e psikologut, si dhe dhoma pёr nёnat e latantёve. Në hapësirën e jashtme të çerdhes parashikohet krijimi i këndit të lojërave, krijimi i këndit të ujit dhe të rërës; krijimi i mjediseve të gjelbëruara; stola dhe tenda etj.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb