Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka folur për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit, duke ngritur akuza të forta ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, në lidhje me çështjet e drejtësisë dhe hetimet e SPAK.

Shehaj deklaroi se, sipas tij, “vazhdon turpi në parlament”, duke theksuar se në sallë ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestin.

Sipas kreut të Partisë Mundësia, përfaqësues të mazhorancës prej ditësh po përdorin si argument një letër që i ka mbërritur kryeministrit Rama, duke e paraqitur atë si “shpëtim nga drejtësia”. Ai shtoi se e njëjta letër i ka shkuar edhe presidentit të Bjellorusisë, duke ironizuar interpretimin që, sipas tij, po i bëhet nga qeveria shqiptare.

“E kanë si shpëtim nga drejtësia, thonë ‘nuk do na kapin më, nuk do na fusin më në burg’. Ky është thjesht një mashtrim”, u shpreh Shehaj.

Ai vuri theksin te data 22 janar, kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim që, sipas tij, do të jetë historik për vendin. “Në datën 22 janar GJK duhet të vendosë nëse jemi të gjithë të barabartë para ligjit, nëse një pushtetar që kapet duke vjedhur duhet të shkojë në burg apo jo”, tha Shehaj.

Më tej, ai akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të ndikojë procesin, nga frika se një vendim kundër Ballukut do të kishte pasoja edhe për vetë kryeministrin. “Nëse pezullojnë Ballukun, pezullojnë edhe Ramën. Atëherë 83 mandatet nuk do t’i hyjnë më në punë”, deklaroi ai.

Shehaj e cilësoi situatën si një përballje mes pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë, duke theksuar se qytetarët shqiptarë kërkojnë fundin e korrupsionit. “Ose do vijojmë të jemi një vend i korruptuar ku ata që vjedhin nuk ndëshkohen, ose do marrë fund pandëshkueshmëria në Shqipëri. Të gjithë qytetarët i duan të korruptuarit në burg”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb