Prokuroria Korçë ka mbyllur hetimet në lidhje me vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teço nga i dashuri i saj Ilirjan Selmani.
Në përfundim të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor u konkludua se dëmtimet që i janë shkaktuar shtetases K.T., janë me mjete të fortë prerës. Shkaku i vdekjes ka qënë si pasojë e shokut traumatiko-hemoragjik.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, aktet dhe burimet e provave të përftuara, rezulton se, shtetasi nën hetim I.S. ka patur një marrëdhënie dashurie me viktimën. Ai shkonte shpesh në banesën e saj, rreth 2-3 herë në javë dhe marrëdhënia e tyre ka zgjatur për më shumë se 3 vjet. Nga rezultatet e këqyrjes së pamjeve filmike të marra nga subjektet përreth vendit të ngjarjes është konstatuar se shtetasi I.S. ka shkuar në banesën e viktimës në orën 22:48 sipas pamjeve filmike dhe pas kësaj ore nuk është konstatuar asnjë lëvizje tjetër deri në orën 03:58 sipas orës së kamerës dhe 04:58 sipas orës reale, moment kur shtetasi I. S., ka hedhur qeset në koshin e mbeturinave.
Në referim të akteve të ekpertimeve biologjike vlerësuese dhe krahasuese, ka rezultuar se shtetasja K. T. është vrarë me thikat që janë gjetur në një qese në tualetin e banesës së saj, të cilat përmbanin gjak dhe fije floku që i përkisnin viktimës. Ka rezultuar se në xhepin e pasëm të pantallonave të shtetasit I.S. është konstatuar gjaku i viktimës.
Në përfundim, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, janë përftuar akte dhe burime provash që provojnë se shtetasi I.S., ka vrarë në rrethana që i kanë shkaktuar mundime të veçanta viktimën K.T. dhe duhet të përgjigjet penalisht për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës, parashikuar nga neni 79, shkronja (e) të Kodit Penal.
