Podcastet janë kthyer në një trend dhe në një fenomen mediatik duke u shndërruar në formate shumë të preferuara.
Në panelin e “Vila 24”, moderuar nga Anila Çela, psikologia Rudina Koromani, opinionisti Bruno Shemsho dhe gazetarja Adelina Onuzi kanë zbuluar argumenta se pse janë përhapur kaq shumë podcastet.
Rudina Koromani: Është një trend botëror dhe në rritje. Kjo sepse njerëzit duan gjithnjë e më shumë që të dinë, të bëhen më të mençur dhe të bëhen më shumë të ditur. Ky format është preferuar se krijon një lidhje më intime, më autentike, mund të jesh duke bërë një aktivitet tjetër, duke punuar, duke bërë punët e shtëpisë apo duke ngarë makinën, zgjedh edhe të informohesh, të ndjekësh një personazh. Temat janë të thelluara dhe kohorente. Një formë e re alternative që do të jetë dominante në të ardhmen. Unë nuk i nënshtrohem asaj që servir televizioni, por e zgjedh.
Bruno Shemsho: Një gjë që e bën ndryshe nga televizioni, por ti ndjehesh një host, pra sikur je kryesori në atë program, në podcast. Nuk ka kostot e një program televiziv sa i takon marketingut apo sponsorave. Çdo kush mund të hapë podcastin në shtëpinë e vet, ka njerëz që bëjnë podcast me një celular që e vendos përpara dhe modifikon videot. Podcast është një treg i lirë dhe gjithkush mund ta ushtrojë, por një filtër duhet. Ke më pak kosto dhe nuk të pengon njeri të shpalosësh një gjë të tillë.
Adelina Onuzi: Ne kemi filluar të njihemi vitet e fundit me podcast-et. Nisi shumë më herët si nevojë thjeshtësie. Vjen nga iPod-i që dëgjoje muzikë apo për t’u njohur dhe për të qenë më intim me atë që dëgjoje e në të njëjtën kohë edhe broadcast dhe u krijua bashkimi iPod e broadcast që erdhi te podcast. Me një celular mund të bësh një inçizim dhe e shpërndan në rrjetet sociale. Ne këtu edhe pse jemi në një emision televiziv, pjesa dërrmuese e informacionit shihet në rrjetet sociale në video të shkurtra. Një faktor i rëndësishëm i podcast është se është intim dhe të afron më shumë me atë se çfarë po thuhet.
(BalkanWeb)
