Në seancën e parë në Gjykatën e Posaçme, nuk ka pasur pajtim mes ish-kryetares së Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, Albana Vokshi, dhe biznesmenes Vilma Nushi, e cila e ka paditur për shpifje. Pas përfundimit të seancës, Vokshi bëri të ditur se asnjëra nga palët nuk ra dakord për një pajtim, duke theksuar se do të vazhdojë deri në fund në procesin ligjor.

Vokshi nuk hoqi dorë nga qëndrimi i saj dhe tha se do të kërkojë si dëshmitarë kryesorë në proces Edi Ramën, Ogerta Manastirliun dhe Ilir Beqajn, të cilët, sipas saj, ende nuk kanë dhënë llogari për keqpërdorimin e koncesioneve të Check-upit dhe sterilizimit. Ajo paralajmëroi se do të vazhdojë të hedhë dritë mbi këto skandale që i kanë shkaktuar dëm popullit shqiptar.

Ky proces ka pasur tensione dhe debate të forta, pasi Vokshi ka qenë një prej kritikeve kryesore të koncesioneve në shëndetësi, ndërsa Nushi ka insistuar në pafajësinë e saj ndaj akuzave, duke thënë se janë shpifje.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb