Virusi i Nilit Perëndimor vijon të përbëjë një shqetësim për shëndetin publik në Europë, teksa sezoni i transmetimit përmes mushkonjave ndodhet në kulmin e tij. Sipas të dhënave më të fundit javore të Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 26 gusht janë regjistruar 124 zona të prekura në 15 vende europiane.

Italia kryeson listën e vendeve më të prekura, me 55 zona të raportuara, ndërsa Greqia renditet e dyta me 17 zona të prekura. Pas tyre vijnë Rumania me 15 zona, Franca me 13, Serbia me 6, Spanja me 4 dhe Maqedonia e Veriut me 3 zona.

Situata është e pranishme edhe në vende të tjera të kontinentit. Kroacia dhe Gjermania kanë raportuar nga dy rajone të prekura, ndërsa Shqipëria, Austria, Qiproja, Hungaria, Kosova dhe Holanda kanë raportuar nga një rajon secila.

Përhapja e virusit po tregon një dinamikë në rritje, pasi vetëm gjatë javës së fundit në hartën epidemiologjike janë shtuar 25 zona të reja.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe qarkullimi i tij lidhet veçanërisht me muajt e ngrohtë, kur aktiviteti i mushkonjave është më i lartë.

Autoritetet shëndetësore europiane vijojnë monitorimin e rasteve, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të marrin masa për të shmangur pickimet e mushkonjave, veçanërisht në zonat ku është raportuar qarkullimi i virusit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb