PRISHTINE – Visar Ymeri shpallet zyrtarisht kryetari Lëvizjes “Vetëvendosje”, me 96.42 për qind të votave. Sipas mediave në Prishtinë, komisioni zgjedhor i përgjithshëm i “Vetëvendosjes” prezantoi sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të brendshme të lëvizjes, ku doli se 1.88 për qind kanë votuar kundër zgjedhjes së Visar Ymerit për kryetar të VV-së, 1.32 për qind kanë abstenuar dhe 0.37 për qind e fletëvotimeve kanë dalë të jenë të pavlefshme.
Visar Ymeri, tashmë kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, u zotua se përgjegjësinë që e mori do ta shndërrojë në angazhim, siç tha ai, “drejt një Kosove që vendos vetë”.
Kryetari i porsazgjedhur i Lëvizjes “Vetëvendosje”, tha se viti 2015 do të jetë vit i zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë, por edhe brenda VV-së. Ai foli për lëvizjen “Vetëvendosje”, si një organizatë brenda së cilës ka demokraci, por që sipas tij, një demokraci të tillë nuk e ka Kosova në tërësi. Këtu ai përmendi vendimet e rëndësishme që ka marrë shteti i Kosovës, që siç tha ai, të gjitha janë bërë pa u marrë fare parasysh vullneti i popullit dhe interesi i tij. Ymeri tha se, kjo po e shndërron shtetin e Kosovës në një shtet që nuk mundet.
Në mbledhjen e XIX-të të Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, mbajti fjalimin e tij të fundit si kryetar edhe Albin Kurti. Ai falënderoi aktivistët, anëtarët, këshillin dhe kryesinë e “Vetëvendosjes” për mbështetjen e deritanishme që i dhanë si kryetar i kësaj lëvizje.
Zgjedhjet e brendshme të lëvizjes “Vetëvendosje” janë mbajtur në të gjitha qytetet e Kosovës dhe në pikat e VV-së në diasporë. Kanë qenë të hapura mbi 20 vendvotime ku të gjithë anëtarët e lëvizjes “Vetëvendosje”, me të drejtë vote, e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: