Nga 1 janari 2024, të vetëpunësuarit e profesioneve të lira do të ngarkohen me tatim mbi të ardhurat sa shoqëritë tregtare dhe më shumë se korporatat, ndërsa bizneset e vogla do të vijojnë me zero tatim deri më 31 janar 2029. Për kontabilistët ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat po krijon pabarazi mes bizneseve dhe godet shtresën e mesme. Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se kjo kategori nga 1 janari 2024 do të paguajë deri 50% më pak tatim se të punësuarit. Për ekspertët edhe Akti Normativ për ndryshimet e ligjit vlerësohet i pazbatueshëm dhe me kosto shtesë për bizneset. Ligji pritet të dërgohet në Kushtetuese.

Nga 1 janari 2024, të vetëpunësuarit dhe personat fizik të profesioneve të lira të përcaktuara në listën analitike të miratuar nga Këshilli i Ministrave, do të paguajnë tatimin progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.

Nëpërmjet ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri në 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.

“Për të ardhurat vjetore nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto e tatueshme, pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat progresive, si më poshtë:

a) 15% për të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) deri në 14.000.000 lekë në një vit tatimor;

b) 23% për çdo lekë shtesë të të ardhurave neto të tatueshme (fitimit të tatueshëm) mbi 14.000.000 lekë në vit”, thuhet në udhëzimin e përgjithshëm “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Udhëzimi gjithashtu përcakton se nëse një i vetëpunësuar, 80% të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga një klient i vetëm, apo 90% të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se tre klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto (të ardhura të arkëtuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit) vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën.

Ligji përcakton dy afate zbatimi. Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë të vetëpunësuarit) efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029.

Sa do të paguhet në krahasim me bizneset e tjera dhe të punësuarit

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) do të paguajnë deri 50% më pak tatim se të punësuarit, ndërsa norma tatimore 23% për kategorinë me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë barazohet me normën tatimore që paguajnë shoqëritë tregtare (15% mbi fitimin dhe 8% tatim dividendi). MFE sqaroi për Monitor se norma tatimore 23% do të “bllokojë” lëvizjen e biznesit drejt fashave të tjera me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Për kontabilistët dhe ekspertët fiskalë, nga 1 janari 2024 profesionet e lira do të ngarkohen me tatim mbi të ardhurat më shumë se korporatat dhe bizneset e vogla që do të vijojnë me zero tatim deri më 31 janar 2029.

Sipas tyre ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” krijon pabarazi mes bizneseve dhe godet shtresën e mesme. Vendimi me listën për profesionet e lira, i botuar në Fletoren Zyrtare, është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, në 180 profesione, sipas llojit të aktivitetit. Në listën e profesioneve të lira do të përfshihen aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimit, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit, operatorët turistikë etj.

Sipas ndarjes në aktivitete, në taksimin e ri do të përfshihen: Filma, video dhe prodhimi i programeve televizive, regjistrimi i zërit dhe aktivitete të prodhimit të muzikës; Shërbime të teknologjisë së informacionit; Aktivitete të shërbimit të informacionit; Aktivitete të shërbimeve financiare, përveç sigurimeve dhe financimit të pensioneve; Sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensioneve, përjashtuar sigurimin shoqëror të detyrueshëm; Aktivitete ndihmëse të ndërmjetësimit financiar përveç sigurimit dhe financimit të pensioneve; Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit; Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike; Aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike; Publiciteti dhe kërkimet e tregut; Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike; Aktivitete veterinare; Aktivitete të marrjes e dhënies me qira; Aktivitete të punësimit; Agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit; Administrim zyrash, mbështetje administrative dhe të tjera aktivitete mbështetëse; Administrimi publik dhe mbrojtja; Sigurimi social i detyrueshëm; Arsimi; Aktivitete të shëndetit; Aktivitete të qendrave të kujdesit mjekësor e social; Aktivitete të kujdesit social pa akomodim; Aktivitete krijuese; Arte dhe aktivitete çlodhëse; Aktivitete sportive argëtuese dhe çlodhëse; Aktivitete të tjera shërbimi.

Kryetari i Këshillit Drejtuese të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar Sotiraq Dhamo pohoi për “Monitor” se vendimi me listën analitike të profesioneve të lira duhej të ishte publikuar 3 muaj pas miratimit të ligjit. Ligji u miratua në muajin mars dhe VKM përkatësisht duhej të publikohej në periudhën korrik-gusht 2023.

Po sipas VKM-së Dhamo tha se përfshihen shumë shërbime, jo vetëm profesione të lira, pasi profesionet e lira janë pak që rregullohen me ligj, si: audituesit, avokatët, mjekët, noterët, kontabilistët, infermierët…. Të tjerët janë thjesht shërbime që ofrohen nga individë.

Përveç ngarkesës tatimore, për këtë kategori tatimpaguesish, situata paraqitet shumë e rrëmujshme për zbatimin e tij, për shkak të ndryshimeve të ligjit që u miratuan më 16 dhjetor 2023 dhe vonesës në miratimin e listës për profesionet e lira (VKM u miratua nga Këshilli i Ministrave më 20 dhjetor). Te bizneset pritet të krijohet konfuzion edhe për zbatimin të ligjit të ri, për shkak të ndryshimeve të deklarimit të të ardhurave nëpërmjet formularëve të ligjit ekzistues, por me normat e reja tatimore.

Për këto ndryshime ligjore, IKM thekson se janë vetëm në funksion të administratës tatimore, ndërsa nuk i përgatit bizneset për plotësimin e deklaratës së të ardhurave. “Pra nuk ka interesim nga institucionet shqiptare nëse biznesi është gati dhe shumica e bizneseve nuk e njohin në tërësi legjislacionin e ri”, nënvizojnë drejtuesit e IKM-së. Ministria e Financave dhe Ekonomisë tha se ndryshim i ligjit për përdorimin e formularëve të vjetër të deklarimit të të ardhurave dhe të tatimit në burim erdhi nga mosarritje në kohë e publikimit të modelit të ri të formularëve.

Pavarësisht kësaj Financat theksojnë se nuk pritet të ketë vështirësi zbatimi nga bizneset që tashmë janë të përgatitura për plotësimin e formularëve ekzistues.

 

 

Kontabilistët: Ndryshimet e ligjit pas Aktit Normativ, të pazbatueshme nga bizneset

Me aktin normativ të miratuar disa ditë më parë, që hyri në fuqi menjëherë pas zbatimit në Fletoren Zyrtare, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë përcaktonte se të gjithë tatimpaguesit e regjistruar para datës 31 dhjetor 2023 për deklarimin e tatimit fitimit të periudhës tatimore të vitit 2024 do të vijojnë të përdorin formularin ekzistues.

Pra, deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira. Për kontabilistët, ndryshimet do të çorodisin më tepër biznesin në zbatimin e ligjit. Të tjerë pohojnë se vendimi për përdorimin e formularëve të modelit të vjetër nuk përbën pengesë për zbatimin e ligjit.

Audituesi ligjor, Sokol Toska, thotë se ndryshimet në aktin normativ rregullojnë disa procedura, të cilat nuk ishin parashikuar në tekstin fillestar të ligjit, ose kanë shtyrë zbatimin e disa procedurave të reja për zbatimin e tij, tregojnë se nuk është ende gati baza nënligjore, si dhe infrastruktura logjistike, përfshi sistemin IT që përdor autoriteti tatimor. Ndryshimet do të ngarkojnë me më shumë kosto bizneset sipas z. Toska. “Për sa i përket zbatueshmërisë së ligjit, kur përballemi me disa shtyrje edhe për një vit, siç i përmendëm më sipër, apo me përdorimin e formularëve të vjetër në kontekstin e ri, sigurisht kjo nuk është një gjendje e përkryer dhe do të shkaktojë vështirësi dhe kosto për tatimpaguesit, por në tërësi, gjykoj se sistemi nuk do pësojë ndonjë tronditje dhe do fillojë të formësohet modeli i ri bazuar në praktikat që do të zbatojë autoriteti tatimor, i cili në dijeninë time ka kryer gjerësisht seanca kualifikimi dhe trajnimi të stafit, për zbatimin e këtij ligji në praktikë.

Ndërsa hyrja në fuqi e VKM-së 10 ditë para hyrjes në fuqi të ligjit, ku kategoria e personave që kryejnë shërbime profesionale ende nuk është qartësuar, nuk lejon dhënien e kohës së nevojshme për të vlerësuar pozitat dhe për të marrë vendimet përkatëse nga këta individë tatimpagues”.

Kontabilisti Mikel Alla, gjithashtu shton se ndryshimet do të krijojnë konfuzion te bizneset për zbatimin e ligji të ri, pasi ai është konfuz në terminologjinë e përdorur edhe për vetë tatimorët dhe profesionistet e fushës, pasi terminologjia e përdorur interferon edhe me ligjin specifik, që rregullon tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

“Përpos kësaj, këto ndryshime ligjore nuk duhej të bëheshin tani që është gati për fazën e implementimit, por që në fillim të hartimit të tij, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion dhe panik në zbatimin e tij. Për më tepër, edhe trajnimet e bëra për tatimorët dhe profesionistët, kanë ngelur në kuadrin e informimit teorik të tij, se sa të zbatimit praktik të tij. Gjithashtu, pasi të ishin mirëtrajnuar tatimorët dhe profesionistët, duhej që kjo gjë të bëhej edhe me bizneset nga ana e administratës tatimore, gjë që deri tani nuk është bërë ende”, thekson ai.

Qasja është e ndryshme për kontabilistin Armand Mala. Sipas tij, përdorimi i formularëve të modelit të ligjit ekzistues për deklarimet nuk bëhet pengesë e zbatimit të ligjit nga 1 janari 2024. “Rastet në fakt që ligjet ndryshohen ende pa hyrë në fuqi janë të shumta. Normalisht, ndryshime të tilla rrisin konfuzionin, ku bizneset sapo udhëzohen të fillojnë të përshtaten (trajnime të ndryshme në lidhje me ndryshimet ligjore) për ligjin e ri, iu duhet të përballen me ndryshime të mëtejshme.

Referuar kërkesave të ligjit të ri, konkretisht Neni 57 përcakton një informacion më të zgjeruar që duhet të përmbajë “Deklarata e Tatimit në Burim”, por fakti që Akti Normativ në Nenin 2 të tij citon pikërisht Nenin 57 si të zbatueshëm nga viti pasardhës, nuk bëhet pengesë për zbatimin e ligjit të ri.

Për sa i përket formularit të Tatimit mbi të Ardhurat, versioni aktual i tij, e ka gjithë informacionin bazë për të llogaritur tatim fitimin. Nuk shoh pengesë në zbatimin e ligjit për faktin e mosnxjerrjes së formularëve të rinj, duke qenë se Akti Normativ ka shtyrë me një vit zbatimin e deklaratave të tilla sipas kërkesave të ligjit të ri”. Z. Mala tha se vetë ligji i ri do të kërkojë kohën e vet të asimilohet nga bizneset apo profesionistët e fushës, pasi janë të shumta çështjet që për të gjithë ne mbeten të paqarta sesi do zbatohen. “Akti normativ, të paktën në opinionin tim, nuk duket si një instrumenti, i cili do të vështirësojë zbatimin e ligjit të ri, pasi në thelb thjesht shtyn hyrjen në fuqi të disa pikave të tij”, thekson ai.

Akti normativ shtyn edhe afatet e hyrjes në fuqi të pikës 1 për nenet 22, 23 dhe 24 që përfshijnë zbritjen e shpenzimeve vetëm për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira kur deri 90% të të ardhurave bruto i sigurojnë nga më pak se tre klientë, duke përfshirë edhe zbritjen për shpenzimet e fëmijëve. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2025.

Akti Normativ përcakton se edhe deklarimi i tatimit në burim në modelin e formularëve të rinj do të nisë nga periudha tatimore janar 2025. Për vitin 2024, nga bizneset do të përdoret deklarata për tatimin e mbajtur në burim sipas modelit ekzistues të formularëve.

Llojet e pagesave për të cilat mbahet tatimi në burim përfshijnë pagesat për interesat bankare dhe institucione të tjera financiare, pagesat nga honoraret, nga qiraja e individëve, për çdo pagesë të përfituar nga lojërat e fatit dhe kazinotë, pagesa për performancën e muzikantëve në koncerte etj.

Edhe për kontabilistin Mikel Alla, ndryshimet e mësipërme do të krijojnë vështirësi në zbatim. “Për pikën tjetër të formularëve, tatimi në burim ka të njëjtën normë në të dyja ligjet, në atë ekzistuesin dhe atë të riun. Por, fakti që do të bëhen më të njëjtin formular, ka të bëjë me vështirësitë teknike të implementimit të kësaj deklarate në sistem, pasi do të jetë shumë më e datajuar referuar modelit bashkëngjitur në anekset e udhëzimit.

Ndërsa neni 24, pika 2, që lidhet me tatimin e bizneseve profesionale me normat 15% dhe 23% do të hyjë në fuqi që nga data 1 janar 2024. Sërish mënyra e vlerësimit të parapagimit të kësteve të tatimit është lënë evazive, duke përdorur fjalinë që do të vlerësohen në bazë të deklaratave paraardhëse të tatimit të thjeshtuar të fitimit dhe të tatimit mbi fitimin, sipas kategorive të bizneseve referuar ligjit nr. 8438.

Pra, nga data 1 janar 2024, të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% dhe 23%, duke e diskriminuar këtë kategori nga bizneset e tjera, të cilat do të jenë subjekt i tatimit nga data 1 Janar 2030, referuar nenit 69, pika 1 – dh, të ligjit të ri”.

 

Ligji i ri drejt Kushtetueses, krijon pabarazi mes taksapaguesve

Kontabilistë nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe anëtarë të Dhomës Kombëtare të Avokatëve më herët kanë pohuar se ligji i ri është antiligjor, krijon pabarazi mes tatimpaguesve dhe nxit evazionin. Të dyja këto shoqata pritet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të ri pas miratimit pas njohjes me listën analitike për profesionet e lira që do të përfshihen në taksimin e ri.

Përveç nxitjes së evazionit, projektligji i ri për tatimin e të ardhurave krijon pabarazi tatimore edhe sipas juristëve. Avokati Klodian Gjermeni pohoi më herët se ka shkelje të të drejtave kushtetuese, për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që u bëhet kategorive të cilat përfshihen në këtë lloj biznesi.

Sipas tij kjo mund të jetë një ndër arsyet e Dhomës së Avokatëve për dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Shqetësim për juristët është edhe nxitja e evazionit apo dhënies së ryshfetit. “Mendoj se personi fizik, i vetëpunësuar të cilët ofrojnë shërbimi dhe kanë një qarkullim vjetor deri në 10,000,000 lekë, të cilit do t’i zbriten 30% e shpenzimeve të supozuara ose faturat e blerjes të cilat i kanë jo të shpeshta, do t’i çonte këta të fundit në mosdeklarimin e plotë të faturave të shitjes nga ana e tyre, pra do të shikonin mundësinë e përfitimeve financiare nën dorë, kjo për të ulur pagesën e të ardhurave të tatueshme të mbetura pas zbritjes së shpenzimeve.

Por edhe në rastin kur personi fizik do t’i deklaronte tërësisht faturat e shitjes së lëshuara prej tij, normalisht me shtimin e këtij tatimi, ose do të rriste çmimet e shërbimeve të ofruara prej tij, ose do të alternonte mënyrën e pagës (një pjesë me anë të faturës dhe një pjesë nën dorë)”, pohoi ai, duke theksuar që shtimi i çdo tatimi në drejtim të biznesit të vogël në përgjithësi dhe subjekteve të vetëpunësuara në veçanti, do të sillte edhe falimentin e një pjesë të tyre, kjo duke marrë parasysh faktin që një pjesë e kësaj kategorie biznesi nuk ka ushtruar aktivitetin e saj gjatë pandemisë dhe nuk përfitoi asnjë ndihmë ekonomike nga qeveria.

Ai shtoi se vendosja e çdo tatimi mbi të ardhurat e biznesit të vogël dhe të vetëpunësuarve është një hap i nxituar, duke marrë në konsideratë efektet e pandemisë, rritjen e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë dhe mosfunksionimin eficient të institucioneve gjyqësore. “Nëse do të vendosej një lloj tatimi, ky duhet të ishte i përcaktuar në bazë të xhiros vjetore të mbetur të personit fizik, pasi të jenë zbritur shpenzimet e supozuara. Pra, nën një tavan p.sh. prej 5,000,000 lekë të mos kishte asnjë lloj tatimi, dhe mbi këtë shumë të ishte një tatim i përcaktuar në varësi të xhiros vjetore të mbetur të personit fizik, pasi të jenë zbritur shpenzimet e supozuara”, u shpreh më herët z. Gjermeni./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: