Presidenti amerikan Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk duket se kanë rikthyer raportet e tyre pas disa muajsh përplasjesh dhe tensionesh të hapura në publik.
Shenja më domethënëse erdhi nga vetë Musk, i cili postoi në platformën X një foto nga Mar-a-Lago, shoqëruar me mesazhin: “Kalova një darkë fantastike mbrëmë me @POTUS dhe @FLOTUS. Viti 2026 do të jetë i jashtëzakonshëm!”
Takimi, i mbajtur të shtunën në mbrëmje në rezidencën e Trump në Florida, ka nxitur spekulime se marrëdhëniet mes dy figurave të fuqishme janë normalizuar pas një periudhe konfliktesh të forta.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Musk ishte një nga financuesit kryesorë të Partisë Republikane, duke dhuruar qindra miliona dollarë. Më pas, Trump e emëroi atë këshilltar për efikasitetin qeveritar dhe ngriti strukturën DOGE, me synimin për të ulur shpenzimet federale. Megjithatë, në mesin e vitit 2025, Musk u largua nga ky rol, mes kritikash dhe polemikash.
Përplasjet u bënë publike kur Musk kritikoi ashpër projektligjin e shpenzimeve të mbështetur nga Trump, duke e cilësuar atë si “një neveri të neveritshme”. Trump reagoi duke shprehur zhgënjim dhe duke vënë në dyshim marrëdhënien e tyre, ndërsa Musk kundërshtoi duke deklaruar se pa mbështetjen e tij, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet.
Në kulmin e konfliktit, Musk hodhi edhe idenë e krijimit të një force të re politike. Megjithatë, drejt fundit të vitit 2025, retorika mes palëve nisi të zbutet. Ata u panë duke shtrënguar duart gjatë një ceremonie përkujtimore në shtator dhe Musk mori pjesë në disa aktivitete zyrtare, përfshirë një darkë në Shtëpinë e Bardhë në nëntor.
