Me Aranita Markon u takuam disa muaj më parë, një paradite me shi. Dëshirës sime për të parë hapësirën ku kishte jetuar një nga autorët e mi të dashur, bashkë me të shoqen, ilustruesen me një jetë të trazuar Safo Markon, iu përgjigj pozitivisht. “Një derë e bardhë, fotoja e një qeni”, orientonte ajo. Ishte Xhixhi, qeni i Madut (Jamarbërit). Fotoja e tij shoqëron vështrimet e saj dhe Jerit sa herë futen në apartament, si kujtimi i një kohe kur Madu mbushte jetët e tyre. “Kur e vranë Xhixhin, Madu nuk doli më asnjëherë nga shtëpia”, më thotë Aranita, duke më treguar për jetën e një tjetër personazhi tragjik të kësaj familjeje, Xhixhit.
Është veshur me të zeza dhe artikulon me kulturë kujtime e mendime, që shpalosin një botë pothuajse të panjohur për lexuesin. Në apartament nuk ka ndryshuar asgjë nga koha kur Petro jetonte. Në mure janë ende tablotë plot ngjyra të Safos e Aranitës dhe në sirtarë blloqet e shënimeve të shkrimtarit, që presin të marrin jetë. Janë ende mobilie që të çojnë para viteve ‘90. Aranita i ka lexuar të gjitha dorëshkrimet që ai ka lënë pas dhe beson se një pjesë e tyre do të hapë të tjera horizonte në krijimtarinë e Petro Markos. Pjesa me vlerë janë dhe letërkëmbimet nga burgu me Safon, apo kujtime që mbajnë brenda jetën e një prej personazheve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë së shekullit XX.
Në këtë apartament, Petro Marko jeton ende. Jehona e tiktakut të tasteve të makinës së shkrimit ende dëgjohet nëpër shtëpi. Shfletimi i dorëshkrimeve, blloqeve të shënimeve, i fletëve të shkëputura, i letrave, bën të mundur frymëmarrjen që nuk mund të ndalojë, fjalët që mbeten të shkruara në letër dhe ato që do të kishte dashur të thoshte akoma për të komunikuar me njerëzit, me ditët, me kohën që ecën, me jetën, tingëllojnë e nuk shuhen, mendon Aranita. E kujton në ballkonin e shtëpisë, në çastet e trishtimit ngarkuar me kujtime, kur këndonte nën zë, ashtu siç kujton fundin. Vetëm pak përtej hapësirës ku bisedojmë, ndodhet dhoma ku me radhë vuajtën ikjen me muaj të tërë Petro, Madu dhe Safo. Aranita la gjithçka për t’u kujdesur për fatin e familjes së saj. Bashkë me shënimet e të atit, dalin fotokopje të gazetave të kohës, kur ilustrimet e saj shoqërojnë shkrime të rëndësishme të gazetës “Drita”.
Por Aranita me modesti nuk flet për pikturat e saj, që shënojnë një artiste të përmasave të larta të kohës. Ajo çfarë ka rëndësi për të, është fati i veprës së familjes Marko, e cila qëndron në këtë apartament diku në Bulevardin “Zogu I”, në pritje për t’u zbuluar, si një hapësirë që i përket kulturës shqiptare.
Ky vit shënjon 110-vjetorin e Petro Markos dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, bashkë me Ministrinë e Kulturës, e shpalli “Vitin e Petro Markos”. “Më bëre të dal nga shtëpia”, më tha Aranita, teksa u shfaq në hapësirën e Qendrës, në fytyrën ku i dallohej mallëngjimi dhe mirënjohja. Një kalendar aktivitetesh që nisin nga QKLL-ja dhe vijojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, do të shpalosin para lexuesit veprën dhe jetën e një shkrimtari, përmasat e të cilit zgjerohen me kohën, për të na sjellë më pranë në diskursin publik, idetë dhe veprat që përshfaqin një arritje të letërsisë dhe mendimit shqip. Bashkë me Aranitën do të punojmë për të transkriptuar dhe sjellë për lexuesin disa nga shënimet që ai ka lënë pas, për të vendosur dritën mbi fletët e zverdhura. Vetë Aranita është një muze kujtimesh.
Ajo flet për Petron me një aftësi, për të ruajtur një distancë mes bijës dhe lexueses. Kujton pasazhe që e sjellin aq njerëzor dhe interesant në rrëfime. Thotë se Petro ishte xheloz për Safon dhe e dashuronte shumë. Kujton Uendi Fleçer, anglezen që Petro e sillte ndërmend gjithnjë dhe i kërkoi së bijës që një ditë ta takonte. Anglezja që njohu në Grenobël, vinte prej një familjeje të pasur nga Susex. Kur ndodhej në Burgun e Tiranës në vitet 1940 – 1942, ai u vizitua nga një gazetar i “Dail Telegraf”, ku i tregoi dhe fotografinë e Uendit, i cili kishte dëgjuar për familjen e saj në Londër. Vite më pas, kur ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, ai do ta takonte sërish gazetarin në hotel “Dajti”, i cili, ndër të tjera, i thotë se ishte takuar me Uendin në Londër. “I thashë se të kishin vrarë italianët, që ajo të mblidhte mendjen se vuante shumë”, i kishte thënë ai.
Uendi është vetëm një nga vajzat me të cilat Petro Marko pati njohur gjatë jetës së tij të vrullshme mbushur me pasione e ideale të larta, në Luftën e Spanjës. Jola, Seli, por dhe gra shqiptare, të cilat i ka fshehur në kujtesë, duke mos i shkruar në kujtime, gra që pasuruan jetën e tij prej burri dhe sigurisht shkrimet e tij.
Përtej veprave letrare, një nga veprat e rëndësishme të Petro Markos është autobiografia “Retë dhe gurët”, të cilën ai e shkroi vitet e fundit të jetës. Ishte Safo, që u bë shkas që ai të ulej dhe të shkruante për kalvarin e tij, duke e bindur me faktin se do të ishte e pamundur që tërë atë jetë ta tregonte dikush tjetër. Për botimin e dorëshkrimit u kujdes Aranita, duke e zgjedhur të parin midis veprave të pabotuara a të botuara. “Para se ta botoja, ia lexova me zë mamasë”, kujton ajo. Leximi i saj shumëfishohej nga kujtimet e pafund të Safos e të saj. “Si është e mundur, thotë ajo, që një njeri me një jetë e peshë të tillë vuajtjesh, të ishte aq i dashur si baba, duke më dhuruar vetëm dashuri e kujdes”. E quajti “retë dhe gurët”, sepse në të gjitha shënimet e tij, Petro Marko flet për një roman që donte të shkruante me këtë titull, duke lënë të skicuara dhe kapitujt e tij. Ky libër përshfaq një intelektual dhe një nga mendjet e ndritura të Shqipërisë së këtij shekulli, i cili jetoi ashtu si gjithë shkrimtarët, në konflikt të përhershëm me sistemin, duke njohur vuajtjet, por dhe gëzimet më të thella, duke i shpëtuar shpesh pushtetit të vdekjes. Nga fëmijëria, përfshirja në Luftën e Spanjës, tabloja e Shqipërisë politike dhe kulturore e para viteve ‘44, deri në jetën pas Çlirimit, burgosjen dhe përjashtimin nga Lidhja e Shkrimtarëve, Petro Marko sjell një nga dëshmitë më interesante të kohës.
Më 1974-n, Petro Marko u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve. U kritikua për një vjershë që gabimisht faqosësi e kishte vënë si të kohëve të fundit, ndërsa ajo ishte e serisë së “Lotëve të mërgimtarit”; Cec u mbull dera e mërgimit/dhe tanithi do të vuaj/vendi im sot prej mjerimit/do të më duket i huaj/. Kjo vjershë ishte shkruar në Zhapion të Athinës, më 1935-n, dhe ruhej nga Dhimitër Shuteriqi.
“Retë dhe gurët” rivjen këtë vit që mban emrin e tij si një manual për të kuptuar dhe përplasjet e reja të konflikteve globale, tensionet në Ukrainë dhe në rajon, në vështrimin e një njeriu që flet me zërin e kujtesës, e cila ka aftësinë të na paralajmërojë.
I jam rikthyer shpesh këtij leximi këto kohë, për të njohur më mirë një shkrimtar që e desha, që kur profesori i letërsisë në gjimnaz më dha për të lexuar “Nata e Ustikës”, duke njohur kulturën dhe diturinë e thellë të personalitetit të tij. Mjafton të kujtojmë brejtjen e ndërgjegjes që ai ndiente deri në fund për Mirash Ivanajn, me të cilin kishte qenë në një burg. Ivanaj nuk fliste me asnjë njeri në burg. I vetmi me të cilin komunikonte ishte Petro Marko. Një intelektual i rrallë, Ivanaj kishte bërë dhjetëra studime, të cilat iu sekuestruan e humbën gjatë arrestimit.
“Kur dola nga burgu duhet të kisha shkuar te Mehmet Shehu, atëherë kryeministër, dhe ti thosha se një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë po vuante në burg… duhej t’i lutesha”, kujton ai, “lirojeni Mirash Ivanajn. Ai kërkon vetëm një vend në bibliotekën kombëtare për të punuar. Po të doni lidheni në tryezë… Ai vetëm të punojë kërkon”.
Janë dhjetëra personazhe të historisë së politikës dhe kulturës shqiptare që i takon në këtë rrëfim, që Petro Marko ia dhuroi memuaristikës shqiptare, i bindur se koha arrin të largojë gjithnjë pluhurin, pavarësisht sa vite ai ka mbi të.
Në këtë vit kujtesë e nderimi ndaj kësaj figure madhore, ky është libri që nuk duhet të mungojë në çdo bibliotekë.
