GJIROKASTER-Viti i ri shkollor do të nisë me probleme infrastrukturore për disa shkolla të bashkisë Gjirokastër. Drejtuesit e shkollave pohojnë se për këtë vit investimet kanë munguar, ndërsa në disa prej tyre ka qenë vetë stafi pedagogjik që ka kontribuar për lyerjen e klasave.

Lagështia dhe mungesa e hidroizolimit vijon të mbetet problematikë shqetësuese për disa shkolla, si ajo “Petro Poga” në fshatin Valare, apo shkolla 9-vjeçare “Urani Rumbo” në qytetin e Gjirokastrës, ku ende pa nisur sezoni i shirave, lagështia është prezente në korridoret e kësaj shkolle.

Drejtori i Agjencisë së Mirëqenies në bashkinë Gjirokastër, Arman Mamani, pohon se investimet e pakta të këtij viti janë si rrjedhojë e një investimi dyvjeçar, kryer nga bashkia vitin e kaluar.

Janë 13 shkolla në Bashkinë Gjirokastër që hapin dyert këtë vit shkollor për të mirëpritur rreth 4500 nxënës. Sipas pohimeve të Drejtorisë Arsimore Gjirokastër në asnjë prej tyre nuk ka pasur investime kapitale, përfshirë këtu dhe lyerjen e shkollës, një detyrim i përvitshëm i pushtetit vendor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb