Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Viti i ri shkollor 2016-2017 për sistemin e arsimit parauniversitar në mbarë vendin do të nisë në 13 shtator 2016. Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëpërmjet Urdhrit nr.327, datë 23.06.2016, kanë përcaktuar strukturën e vitit të ri shkollor për gjithë sistemin shkollor parauniversitar. E marta e 13 shtatorit është dita e parë e shkollës si për shkollat 9-vjeçare, edhe për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale. Ndërsa përfundimi i shkollës do të jetë në qershor 2016, por në data të ndryshme. Në këtë strukturë të vitit ajo që bie në sy është reduktimi i ditëve të pushimit për arsimin bazë.

Pushimet & provimet
Për arsimin bazë, viti shkollor nis më 13 shtator 2016 dhe mbaron më 9 qershor 2017. Pushimet e para për nxënësit e arsimit bazë fillojnë më 24 dhjetor 2016 dhe mbarojnë në 3 janar 2017. Në strukturën e vitit të ri shkollor për arsimin bazë, MAS-i ka reduktuar ditët e pushimeve. Kështu, nëse vitet e mëparshme nxënësit në muajin prill kanë pasur 5 ditë pushimi, vitin e ri shkollor periudha e dytë e pushimeve nis më 31 mars 2017 dhe mbaron në 2 prill 2017. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare ashtu si edhe këtë vit, provimet e lirimit do t’i zhvillojnë në periudhën 10-30 qershor 2017. Shkollat e mesme mësimin do ta fillojnë në 14 shtator si pjesa tjetër, por viti shkollor për gjimnazet përfundon më vonë, në datën 16 qershor 2017. Vetëm maturantët vitin shkollor e nisin në 13 shtator dhe e mbarojnë në 31 maj 2017, pasi u nisin provimet. Edhe për gjimnazet, pushimet e dimrit fillojnë në 24 dhjetor dhe mbarojnë më 3 janar 2016. Sa u përket provimeve të maturës, edhe vitin e ardhshëm shkollor maturantët do t’i zhvillojnë pesë provimet e maturën gjatë muajit qershor. Në udhëzim është përcaktuar se provimet e maturës do zhvillohen në 1-30 qershor 2017.

Arsimi profesional
E marta e 13 shtatorit do të jetë dita e parë e shkollës edhe për nxënësit që ndjekin arsimin profesional. Ndërsa data e përfundimit të shkollës për shkollat profesionale është e ndryshme. Kështu, më 16 qershor 2017, përfundon viti shkollor për nxënësit e klasave të 10-ta, për të gjitha strukturat, për nxënësit e klasave të 12-ta për strukturat 2+2, dhe për nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta për strukturën bllok 4-vjeçare. Ndërsa data 2 qershor 2017, është dita e fundit e shkollës për nxënësit e arsimit profesional të klasave të 11-ta dhe të 12-ta për strukturat 2+1+1, dhe për nxënësit e klasave të 11-ta struktura 2+2. Për nxënësit maturantë të të gjitha strukturave dita e fundit e shkollës për shkollat profesionale është data 23 maj 2017. Për stafet pedagogjike dhe nxënësit e shkollave profesionale datat e pushimeve të dimrit nuk ndryshojnë nga pjesa tjetër, pasi nisin në 24 dhjetor dhe mbarojnë në 2 janar 2017. Sa u përket periudhave të provimeve, në udhëzimin e përbashkët të MAS-it dhe MMSR-së përcaktohet se provimet përfundimtare për nivelet I dhe II zhvillohen në periudhën 5-16 qershor 2017, ndërsa për nivelin III provimet përfundimtare zhvillohen në periudhën 24-30 maj 2017. Dhe provimet e maturës, si pjesa tjetër e maturantëve, në periudhën 1-30 qershor 2017.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb