Deputeti ende në detyrë i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar vizitën zyrtare të kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u prit në Departamentin Amerikan të Shtetit. I ftuar në studion e News24, Koçi tha se ky takim nuk duhet parë si një vizitë rutinë, por si një sinjal i rëndësishëm politik dhe diplomatik nga ana e SHBA-ve.
“Vizita e Dumanit në SHBA nuk është një takim rutinë, sepse me ardhjen e administratës Trump ka pasur një ngrirje të kontakteve mes kësaj administrate dhe autoriteteve shqiptare në përgjithësi. Ky lloj kontakti i parë besoj se nuk është rastësi dhe nuk hyn te rutina,” deklaroi Koçi.
Sipas tij, mbështetja e administratës amerikane ndaj SPAK dhe GJKKO-së vijon të jetë e fortë, dhe kjo tregon një angazhim të vazhdueshëm të SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
“Mendoj se administrata amerikane vijon të mbështesë drejtësinë e re, pra SPAK dhe GJKKO. Mbështet luftën ndaj korrupsionit dhe për mua është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe marrëdhënien e vendit me SHBA-të,” theksoi deputeti socialist.
Duke folur për funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, Koçi pranoi se nuk kemi një sistem të përsosur, por theksoi se mbështet punën e SPAK dhe GJKKO-së si një shpresë reale për luftën kundër korrupsionit.
“Nuk mendoj se kemi një drejtësi perfekte që nuk gabon, por jam nga ata që e mbështes, edhe pse mund të gjej momente që nuk janë të justifikuara. Në parim e mbështes SPAK dhe GJKKO. Për mua këto të fundit janë shpresa më e madhe, për të mos thënë e fundit, që në këtë vend të luftohet korrupsioni,” përfundoi Koçi.
