News24: Lufta në Iran dhe vizita e kancelarit gjerman Friedrih Merz në këtë kohë në Uashington janë temat që preokupojnë opinionin këto ditë në Gjermani.
Jam lidhur në Gjermani me Auron Dodin, në Deutsche Welle.
Auron, përshëndetje.
News24: Qeveria gjermane është deklaruar në mbështetje të kursit të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit. Me cilin argumentim?
A.Dodi: Gjermania u befasua nga sulmi kundër Iranit. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kancelari Merz theksoi se ky nuk ishte momenti për t’u dhënë leksione partnerëve. Regjimi i Teheranit është një regjim terrorist, u tha, përgjegjës për dekada shtypjeje dhe kërcënime.
Kancelari Merz siç dihet ishte të martën (03.03.) i ftuar edhe në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Pas bisedave atje, kancelari tha në medie se Irani ndodhej në prag të zotërimit të armëve bërthamore. “Ishte ndoshta vetëm disa javë larg montimit të sistemeve të armatimit përkatës”. Përpjekjet diplomatike nuk patën sukses.
Në lidhje me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, gjë për të cilën kritikohen SHBA dhe Izraeli, Merzi tha shprehimisht se ajo “sigurisht nuk është e vjetëruar”. Por bëri thirrje për realizëm.
“Çfarë të bësh”, pyeti ai “kur rregullat e së drejtës ndërkombëtare arrijnë në kufijtë e tyre?” “Çfarë të bësh kur negociatat zgjatin me dekada dhe pala tjetër krijon arsenal bërthamor? Mund të vijë një moment kur të jetë tepër vonë. Atëherë do të na pyesnin: Pse nuk e parandaluat këtë më herët?”
News24: A ka Gjermania një rol në konfliktin kundër Iranit?
A.Dodi: Gjermania është pozicionuar së bashku me Britaninë e Madhe dhe Francën, në kuadër të formatit E-3. Ky format ka shprehur mbështetje të kujdesshme për sulmet kundër Iranit. Gjermania nuk është e përfshirë në luftë.
Është fakt që Friedrich Merzi ishte lideri i parë evropian, që e diskutoi në Uashington luftën, me Presidentin Trump. Ai pyeti se a ekziston një strategji për udhëheqjen e ardhshme të Iranit; dhe a ekziston një kuptim i përbashkët që Irani të ruhet si shtet e të qeveriset në mënyrë demokratike. Sipas kancelarit gjerman, këto pyetje nuk kanë marrë të gjitha përgjigje dhe nuk ekziston as personeli, që do ta qeveriste Iranin.
Nga ana tjetër, analistë gjermanë thonë se ngjarjet që nga vdekja e liderit fetar Chamenei kanë treguar se lufta kundër regjimit mund të zgjasë. Dhe që tani kanë nisur lëvizje refugjatësh: qindra iranianë kanë nisur të largohen nga vendi, në drejtim të Turqisë.
News24: Si shihet lufta kundër Iranit nga populli gjerman?
A.Dodi: Shumica e gjermanëve nuk e konsiderojnë të justifikuar sulmin. Sondazhi i fundit televizionit publik ARD, DeutschlandTrend, nxorri se 58 për qind e të pyeturve i konsiderojnë të pajustifikuara sulmet e SHBA dhe Izraelit. Vetëm 25 për qind i quajnë të justifikuara.
Një rol në këtë perceptim luajnë edhe elementë të sigurisë. Revista Der Spiegel informoi se departamenti i sigurisë i Forcave të Armatosura Gjermane i ka paralajmëruar ushtarët për sulme të mundshme, duke kërkuar “ndërgjegjësim të ndjeshëm”. Në një qarkore thuhet se nuk përjashtohet kërcënim, „në formën e sulmeve verbale dhe fizike“, nga pjesë të popullatës, kritike ndaj ushtrisë. Ushtarët porositen që kur udhëtojnë me uniformë në trena p.sh. të jenë vigjilentë. Një kërcënim abstrakt u tha se ekziston edhe për qytetarët dhe institucionet izraelite dhe amerikane në Gjermani.
Nga pikëpamja ekonomike: për shkak të luftës, çmimet e benzinës po arrijnë rekorde – në Berlin, për shembull, benzina super arriti 2.49 euro për litër. Qeveria po vëzhgon tregun dhe ka thënë se mund të përdorë masa antimonopol, po qe nevoja.
News24: Çfarë u arrit në vizitën e kancelarit Merz te Presidenti Trump?
A.Dodi: Vizita ishte planifikuar prej kohësh, por përkoi me luftën në Iran – që hodhi hije mbi çështjet e tjera, si tarifat doganore dhe Ukrainën. Megjithatë, Merz-i arriti t’i diskutojë të gjitha këto tema.
Ai kërkoi që të miratohet sa më shpejt marrëveshja tarifore e arritur mes BE dhe SHBA. Dhe paralajmëroi se kushte më të këqia, BE nuk mund të pranojë.
Për Ukrainën, Merzi tha se kishte kontribuar te Trumpi për sqarimin e disa rrethanave lokale.
I kishte shpjeguar Trumpit me një hartë, pse Ukraina dhe BE kundërshtojnë zhvendosjen e vijës së frontit më në perëndim, në favor të Rusisë. Po të braktiset vija aktuale, tepër e fortifikuar e frontit, atëherë”rruga kryesore për në Kiev është e hapur” – u shpreh kancelari. Gjithashtu ai potencoi se Odesa ishte porti kryesor, që i jep Ukrainës akses në Detin e Zi dhe lidhjet tregtare, ndaj duhet të mbetet.
Para medieve, Trump-i dhe Merz-i treguan harmoni. Presidenti amerikan e lavdëroi Gjermaninë duke thënë se “vendet tona bashkëpunojnë mirë”. Merzin, Presidenti Trump e quajti kryetar qeverie të suksesshëm dhe “mik” që e takon “në kohë interesante”.
News24: Megjithatë, Trumpi kritikoi ashpër Spanjën dhe Britaninë e Madhe që nuk lejuan përdorimin e bazave amerikane për luftën?
A.Dodi: Po, kjo është e vërtetë. Pas refuzimit nga Spanja për të lejuar përdorimin e bazave amerikane atje, avionët amerikanë u ngritën nga baza e Ramsteinit në Gjermani – baza më e madhe ushtarake amerikane jashtë SHBA. Kurse Britania e Madhe në fakt e lejoi më vonë përdorimin e bazave amerikane.
Për Spanjën, Trumpi tha se i kishte kërkuar ministrit amerikan të Financave “të ndërpriste të gjitha transaksionet” me këtë vend.
Merzi nuk iu përgjigj menjëherë kritikave ndaj aleatëve, por vetëm gjatë drekës së përbashkët.
News24: Po, kjo pikë ka sjellë shumë debate në mediet evropiane, pse nuk reagoi menjëherë kancelari gjerman?
A.Dodi: Strategjia e Merzit ishte e qartë: do të kishte qenë e vështirë të diskutoheshin Ukraina dhe tarifat doganore me një Trump të zemëruar. Kancelari Merz njihet si person që ka gjetur ekuilibër në komunikim me administratën amerikane: i thotë ato që mendon, por i thotë pa acaruar.
Kontributin e Britanisë së Madhe në formatin E3, Merz-i e vlerësoi shprehimisht gjatë drekës. Për Spanjën ai e bëri të qartë se ajo është pjesë e BE. Dhe politika tregtare nuk mund të aplikohet me standarde të ndryshme. Trumpit ai i tha:”Nuk mund të lidhësh marrëveshje me Gjermaninë ose Evropën, por të përjashtosh Spanjën.”
Edhe në mediat gjermane, edhe në ato spanjolle nuk mungojnë kritikat për motivet e Spanjës. E përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung pyet: „përveç pyetjes nëse është e drejtë të fshihesh pas Pirenejeve kur bëhet fjalë për çështjet e politikës së mbrojtjes, ku mund të ndihesh më i sigurtë se në skajin lindor të territorit të aleancës: a është e mençur të rrezikosh trazira ndërkombëtare për hir të fitoreve politike të brendshme? Megjithë respektin për shtyllën kurrizore dhe qëndrimin: edhe në jetën private i arrin më mirë qëllimet e tua, kur nuk u bie daulleve të mëdha, sa herë që mendon ndryshe“.
Ndërsa gazeta spanjolle El País sheh motive të brendshme politike te kryeministri Sánchez. El Pais shkruan se ai dëshiron të pushtojë hapësirën e majtë në Spanjë dhe po përdor krizën. Por konfliktet e armatosura nuk i zgjidhin problemet e strehimit dhe të pagave në Spanjë.
