Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmendi “axhendën e ngarkuar” të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke konfirmuar se nuk do të takohen gjatë udhëtimit të tij në Azi.

“E njoh shumë mirë Kim Jong Un-in. Marrëdhëniet tona janë shumë të mira. Nuk arritëm të gjenim kohë, por do ta bëjmë më vonë. Presidenti Xi vjen nesër, dhe kjo është diçka që, sigurisht, ka rëndësi të madhe për botën, për të gjithë ne,” tha Trump gjatë një takimi me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae-myung.

Në çdo rast, Trump theksoi se planet e tij për t’u takuar me presidentin e Kinës, Xi Jinping, ishin në qendër të vizitës, sipas CNN International.
“Pres me padurim ta takoj, dhe kjo ishte pika kryesore e këtij udhëtimi, por do të kemi edhe vizita të tjera dhe do të punojmë shumë me Kim Jong Un dhe me të gjithë për të zgjidhur çështjet,” shtoi ai.

Më herët, Trump kishte shprehur gatishmërinë për ta zgjatur udhëtimin e tij në mënyrë që të takohej me Kim-in, dhe u zotua se do të “punojë shumë për këtë” së bashku me Lee-n dhe ekipin e tij.

“E di që zyrtarisht jeni ende në luftë, por do të shohim çfarë mund të bëjmë për ta sqaruar këtë situatë,” tha Trump.
Presidenti jugkorean Lee e vlerësoi Trump-in për gatishmërinë e tij për dialog me udhëheqësin verikorean, duke thënë se shpreson që Kim Jong Un të kuptojë qëllimet e tij.

“Jam shumë i lumtur që jeni të gatshëm dhe të hapur për dialog me presidentin Kim, dhe kjo qasje është shumë e rëndësishme për ne,” deklaroi Lee.
Vlen të theksohet se Lee, i cili mori detyrën në qershor, ka vënë në qendër të politikës së tij uljen e tensioneve në Gadishullin Korean, duke ruajtur njëkohësisht qëllimin afatgjatë të denuklearizimit të Koresë së Veriut.

Ai ndjek një qasje më të hapur ndaj dialogut me Phenianin, krahasuar me paraardhësin e tij konservator.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb