Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe siguria në rajon ishin temat kyç të takimeve mes krerëve shtetërorë të Kosovës me delegacionin nga Kongresi amerikan.
Kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokratin Suhas Subramanyam, zhvilluan takime të ndara me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Për Kosovën, anëtarësimi në NATO është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe dhe vendit të saj “mes shteteve demokratike”.
Kështu tha pas takimit me delegacionin nga Kongresi amerikan, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Sipas Presidencës, Haxhiu e falënderoi Self për mbështetjen e ofruar për rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ajo tha se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara në siguri, mbrojtje, ekonomi, diplomaci dhe integrim euroatlantik.
“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale, por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, tha Haxhiu, sipas njoftimit për media.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se me delegacionin amerikan bisedoi për paqen dhe sigurinë në rajon.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Kryeministria, Kurti falënderoi delegacionin për përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por edhe për një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve që bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR.
Duke folur për vizitën e kongresistëve amerikanë në Luginë të Preshevës, Kurti tha se “duhet të ketë të drejta të krahasueshme për pakicat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.
Self dhe Subramanyam gjatë qëndrimit në Kosovë u takuan edhe me zëvendëskryeministrin në detyrë, Glauk Konjufca. Një ditë më parë po ashtu zhvilluan takime me ish-presidenten Vjosa Osmani, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Vizita e kongresistëve vjen pasi në prill, Self, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Në këtë rezolutë, që gëzon mbështetje dypartiake në Shtetet e Bashkuara, thuhet se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.
Po ashtu, tre kongresistët amerikanë kanë paraqitur edhe një rezolutë po në prill, përmes së cilës kërkohet që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë pjesëmarrjen në KFOR.
Kosova synon të anëtarësohet në aleancën ushtarake perëndimore, por ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim, teksa mosnjohja nga katër shtete të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) vlerësohet pengesë drejt anëtarësimit në aleancë.
Vendi aktualisht është në proces të shndërrimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, proces që pritet të zgjasë deri më 2028.
Pranimi i një anëtari në NATO kërkon mbështetje unanime, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin e Kosovës.
Self dhe Subramanyam arritën në Kosovë pasditen e 26 majit, pasi qëndruan në Luginë të Preshevës ku u takuan me zyrtarë të ndryshëm shqiptarë në jug të Serbisë.
Self tha se pasi mësuan për problemet reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, vizita në Kosovë zhvillohet për të “mësuar për pakicën serbe atje”.
“Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve në Luginë të Preshevës.
Para se të qëndronin në Luginë të Preshevës – term që përdoret për tri komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku jetojnë shqiptarë – kongresistët zhvilluan takime në Bosnje dhe Hercegovinë./ REL
