Dy diplomatë të profilit të lartë norvegjezë janë vënë nën hetim nga autoritetet e Norvegjisë për dyshime mbi korrupsion të rëndë dhe lidhje me financierin amerikan të ndjerë Jeffrey Epstein.

Autoriteti norvegjez kundër krimeve financiare dhe mjedisore, ka nisur hetime ndaj Mona Juul, e cila dha dorëheqjen të dielën nga posti i ambasadores në Jordani dhe Irak. Ajo dyshohet për korrupsion të rëndë gjatë kohës që ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Po ashtu, nën hetim është edhe bashkëshorti i saj, Terje Rød-Larsen, ish-diplomat dhe ish-president i Institutit Ndërkombëtar të Paqes (IPI), i dyshuar për bashkëpunim në korrupsion.

Kreu i Økokrim, Pål Lønseth, deklaroi se hetimi synon të sqarojë nëse janë kryer veprime penale dhe paralajmëroi se bëhet fjalë për një proces gjithëpërfshirës dhe afatgjatë. Sipas tij, po shqyrtohet edhe nëse Juul ka përfituar personalisht nga pozicioni i saj zyrtar.

Avokatët e çiftit kanë bërë të ditur se klientët e tyre po bashkëpunojnë plotësisht me hetuesit dhe janë të bindur se akuzat do të rezultojnë të pabaza.

Juul dhe Rød-Larsen janë figura të njohura në diplomacinë norvegjeze dhe kanë qenë pjesë e grupit që lehtësoi Marrëveshjet e Oslos mes viteve 1993–1995. Ata janë ndër emrat e fundit të rëndësishëm norvegjezë që përmenden në dosjet e lidhura me Jeffrey Epstein.

Zbulimet kanë shkaktuar tronditje në Norvegji, veçanërisht për shkak të lidhjeve të Epstein me Princeshën e Kurorës Mette-Marit dhe figura të tjera të shquara. Økokrim ka hapur gjithashtu hetim ndaj Thorbjørn Jagland, ish-kryeministër i Norvegjisë dhe ish-kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, megjithëse autoritetet theksojnë se përmendja në dosje nuk nënkupton automatikisht shkelje ligjore.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dy fëmijëve të Juul dhe Rød-Larsen u ishte lënë një trashëgimi prej 10 milionë dollarësh nga Epstein, ndërsa Rød-Larsen ishte emëruar ekzekutor i testamentit të tij në vitin 2017, një rol që më vonë u revokua. Dosjet sugjerojnë gjithashtu se çifti kishte vizituar ishullin privat të Epstein në vitin 2011 së bashku me fëmijët e tyre.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, tha se kontaktet e Juul me Epstein treguan një “mungesë serioze gjykimi”, duke shtuar se kjo e bënte të vështirë rivendosjen e besimit të nevojshëm për rolin e saj diplomatik.
Jeffrey Epstein u vetëvra në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza për abuzim seksual ndaj të miturve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb