TIRANË-Pas dëshmisë së tre anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës mëngjesin e sotëm ka shkuar në Prokurori Guvernatorja e komanduar Elisabeta Gjoni. Ajo do të japë dëshminë e vet lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.
Gjoni u komandua në detyrrëne Guvernatores pas arrestimit të ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani. Ky i fundit ka marrë masën arrest me burg për shpërdorim detyre dhe ndodhet në burgun 302.
Një ditë më parë dëshmuan në prokurori tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së Petraq Milo, Dhori Kule dhe Ardian Civici. Ata shkuan në Prokurori pas një takimi me kryeministrin Edi Rama.
Për shkak të marrjes në pyetje nga Prokuroria anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk kanë mundur të marrin pjesë në seancat dëgjimore të Komisionit të Ekonomisë.
Prokurori i Tiranës, Petrit Fusha në një letër drejtuar këtij komisioni ku i kërkonte mirëkuptim për anulimin e seancave dëgjimore, shprehej se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të pyeteshin për informacione dhe fakte konfidenciale që përbëjnë sekret shtetëror.
(a.n/BalkanWeb)
