Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Sali Berisha, duke deklaruar se të dy po pengojnë ndryshimin politik në Shqipëri.

Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Salianji u shpreh se zgjidhja e krizës politike duhet të vijë nga protestat qytetare. Ai e cilësoi Berishën si një mbështetje politike që e mban Ramën në pushtet, ndërsa kritikoi mungesën e një gare të hapur brenda Partisë Demokratike. Ish-deputeti vlerësoi pjesëmarrjen e studentëve, mjekëve dhe pedagogëve në protesta, duke theksuar se lëvizja ka marrë një karakter europian. Salianji komentoi gjithashtu mungesën e reagimeve të përditshme nga ambasadat e huaja, të cilën e interpretoi si një mesazh politik për Ramën dhe Berishën.

Sipas tij, nëse opozita do të kishte një drejtim tjetër, kryeministri Edi Rama do të ishte përballur shumë më herët me pasojat politike të protestave.

Salianji vlerësoi edhe qëndrimet politike të Dashamir Shehit, por theksoi se ndryshimi duhet të vijë nga mobilizimi qytetar në shesh. Ai ngriti shqetësimin edhe për pasojat e protestave dhe përplasjet me policinë, duke ia atribuuar përgjegjësinë politike kryeministrit Rama. Sipas Salianjit, bizneset po pësojnë humbje të mëdha, ndërsa shteti nuk po u ofron mbështetjen e nevojshme.

“Berisha është paterica që mban në pushtet Ramën. Nëse nuk do të ishte Berisha, Rama do të binte në muajin e parë të protestës. Po dalin studentë, mjekë, pedagogë. Si mund të rrijë në krye të opozitës një njeri që nuk del dot në rrugë? Cili është interesi i tij për të qëndruar, përveç interesit personal? Ky nuk la fare garë në parti. Identifikohet vetëm me opozitën, kur është pengesa për të sjellë ndryshimin. Kam vlerësim për qëndrimet politike të zotit Shehi. Kjo protestë është më europiane dhe po e bën atë europiane.

Për herë të parë në historinë e protestave në Shqipëri, nuk kemi parë asnjë reagim çdo ditë nga ana e ambasadave të huaja. E kuptojnë njerëzit këtë gjë? Është e dukshme, Rama dhe Berisha po kërkojnë të çmontohen nga shoqëritë europiane. Këta po kërkojnë që ta mbajnë pushtetin me forcë. Një njeri ka humbur syrin, është një ngjarje e dhimbshme, por për këtë? Për faj të Edi Ramës. Bizneset po pësojnë humbje masive, për çfarë? Për faj të Edi Ramës. Taksat i paguajnë njësoj, ky shtet që ka krijuar Rama nuk po u jep asnjë ndihmë.”, tha Salianji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: