Shefja për Politikë të Jashtme në Bashkimin Europian, Kaja Kallas, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin Edi Rama, ku diskutuan për çështje të rëndësishme lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës së saj, Kallas vlerësoi komentet dhe këshillat e kryeministrit Rama mbi rajonin, duke theksuar se për një ecuri të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, është e domosdoshme normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.
Ajo shtoi se pasditen e sotme do të udhëtojë për në Bosnje, ku do të takohet me palët atje për të qartësuar situatën dhe për të diskutuar hapa të ardhshëm.
“Në takim me kryeministrin Edi Rama diskutuam edhe në lidhje me rajonin ku vlerësoj këshillat dhe komentet e tij mbi Ballkanin Perëndimor. Mes Kosovës dhe Serbisë, s’mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve. Pasditen e sotme do të jem në Bosnje dhe do të takohem me palët atje që të qartësohet situata. Jam mirënjohëse që jam këtu dhe mezi pres të rikthehemi sërish për takimin e komitetit politik”, tha ajo.
(BalkanWeb)
