Pas fitores 2-1 në ndeshjen ndaj Dinamos, që i siguroi Vllaznisë finalen për titull kampion, trajneri Brdariç ka vendosur ta relaksojë skuadrën e tij.

Gjermani, si zakonisht, pas çdo ndeshjeje e lë skuadrën dhe futbollistët dy ditë pushim, në mënyrë që të rikuperohen siç duhet. Pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm, çlodhja dhe rikuperimi është shumë i rëndësishëm. Dhe pavarësisht se në prag është finalja ndaj Egnatias, numri një i pankinës shkodrane i cilëson si të mjaftueshme ditët e ardhshme për të përgatitur sa më mirë sfidën.

Gjithashtu, nga sa mësohet, ditën e hënë dy futbollistë që shfaqën probleme fizike ndaj Dinamos, Gurishta dhe Deliu, kanë bërë kontrollet dhe analizat mjekësore. Shkodrani ka pasur një bllokim në pulpë në minutat e fundit ndaj bluve, por nuk duket se do e pengojë ta nisë nga minuta e parë në finale ndaj Egnatias.

Ndërsa disi më i rëndë duket lëndimi i Deliut, por shpresat që edhe ai të jetë në fushë janë të mëdha për ndeshjen e së hënës. Grupi kuqeblu pritet të jetë i plotë dhe të mos ketë mungesa.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb