Në prag të javës së 24-t të Superiores, Vllaznia përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit, teksa në “Loro Boriçi” pret Elbasanin, një rival direkt në garën për vendet e para. Kuqeblutë synojnë të hedhin një hap të madh drejt objektivave të tyre, duke zbritur në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm. Trajneri Edi Martini do ta ketë luksin e plotë të përzgjedhjes, pasi të gjithë futbollistët janë në dispozicion për këtë përballje delikate.
Një lajm i mirë për shkodranët është rikthimi i Pohls në portë, me gardianin që pritet të marrë sërish vendin në katërkëndor dhe të japë siguri në prapavijë. Në repartin difensiv pritet të rreshtohen Gurishta, Çelikoviç dhe Gjini, një treshe që ka funksionuar mjaft mirë gjatë këtij sezoni. Mbrojtja ka qenë një nga pikat më të forta të Vllaznisë përgjatë vitit 2026, duke garantuar stabilitet dhe kompaktësi përpara portës. Mesfusha do të mbështetet te eksperienca dhe dinamizmi i treshes Krymi–Kallaku–Qato, lojtarë që pritet të diktojnë ritmin e ndeshjes dhe të fitojnë betejën në qendër të fushës. Në krahë, Jago majtas dhe Kastrati djathtas do të kenë detyrën të japin thellësi dhe të furnizojnë repartin ofensiv. Në sulm, Bekim Balaj mbetet pika e referimit. Shtatlarti kuqeblu është i padiskutueshëm në majën e repartit dhe do të ketë si mbështetje kryesore Malen, me dyshen që synon të shfrytëzojë çdo hapësirë në mbrojtjen kundërshtare. Objektivi i Vllaznisë është një dhe i vetëm: fitorja para publikut të saj, në një moment të veçantë për klubin, në prag të 107-vjetorit të themelimit. Një triumf ndaj Elbasanit do të kishte peshë të dyfishtë, si për renditjen ashtu edhe për moralin e skuadrës në vijimësinë e kampionatit.
STATISTIKA – Një përballje gjithmonë e ndezur dhe me peshë në futbollin shqiptar është ajo mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Dy skuadra me histori dhe objektiva madhorë janë ndeshur shpesh në dy dekadat e fundit, me bilanc që deri së fundmi fliste qartazi në favor të kuqebluve. Por suksesi i fundit i Elbasanit duke se ka ndryshuar pak “syrin e keq” për verdheblutë. Në kuadër të javës së 15-të të Superiores, më 8 dhjetor 2025, Elbasani triumfoi 1-0 ndaj Vllaznisë, duke marrë një fitore me peshë jo vetëm për objektivat sezonalë, por edhe për historinë e përballjeve direkte. Ky sukses i dha fund një ecurie të gjatë 19-vjeçare pa fitore ndaj shkodranëve.
Që prej rikthimit në elitë nën emrin AF Elbasani, dy skuadrat janë përballur 8 herë në kampionat dhe Kupë. Bilanci tashmë regjistron 2 fitore për Vllazninë, 5 barazime dhe 1 fitore për Elbasanin – kjo e fundit e ardhur pikërisht në sfidën e 8 dhjetorit 2025. Kujtojmë se në fazën e parë të këtij sezoni, Vllaznia kishte triumfuar 1-0 në “Loro Boriçi”, falë një goli të Jagos. Në dy edicionet e fundit janë regjistruar edhe 5 barazime mes skuadrave, dy prej të cilave në Kupë, ku megjithatë kualifikimi buzëqeshi për shkodranët. Një tregues i ekuilibrave në rritje mes dy ekipeve, sidomos me rikthimin e Elbasanit si forcë pretendente në elitë. Nëse i referohemi më herët historisë, kur klubi mbante emrin KF Elbasani, nga viti 2006 deri në vitin 2020 janë zhvilluar 22 ndeshje mes tyre në kampionat dhe Kupë.
Dominimi i Vllaznisë në këtë periudhë ka qenë i theksuar, 16 fitore për kuqeblutë dhe 6 barazime, ndërsa Elbasani nuk kishte arritur të fitonte asnjëherë. Suksesi i fundit i verdhebluve para këtij sezoni datonte më 26 shkurt 2006, me rezultatin 1-0, në sezonin kur Elbasani u shpall kampion i Shqipërisë (2005-06). Kësisoj, për 19 vite me radhë Vllaznia kishte ruajtur një rekord të pathyeshëm ndaj Elbasanit. Por fitorja e 8 dhjetorit 2025 e theu këtë seri historike, duke rihapur një kapitull të ri në rivalitetin mes dy skuadrave. Statistikat tregojnë për një epërsi të qartë të kuqebluve në vite, por suksesi i fundit i Elbasanit dëshmon se verdheblutë janë rikthyer fuqishëm dhe tashmë jo vetëm sfidojnë traditën, por synojnë të shkruajnë histori të re në Superiore.
