Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka dhënë mendimet e tij për ndeshjen e radhës të të kuqve, sfidën ndaj Vllaznisë (e dielë, Shkodër, 17.00). Ai ka shprehur besimin se ekipi do të mund të triumfojë në këtë takim.

“Në Shokdër, ndaj Vllaznisë, është gjithmonë kënaqësi të luash. Është një ambient shumë i mirë. Duhet të jemi të përqendruar dhe shumë të kujdesshëm. Për ne dhe për Vllazninë gjendja që po kalojmë mund të sjellë pak presionin e pikëve, kështu që duhet të jemi cinikë.

Kemi punuar shumë në aspektin psikologjik. Me Vllazninë do të jetë e vështirë. Kemi probleme me disa lojtarë të dëmtuar. Edhe ata mund të kenë mungesa, por Vllaznia ka elementë cilësorë, plus ka një akademi shumë të mirë, që i sjell lojtarë të rinj të talentuar.

Kampionati kërkon vlerësim të madh dhe impenjim në çdo ndeshje. Siç e kam thënë që në fillim, duhet të njohim dhe respektojmë veten. Nëse e bëjmë këtë, jam i bindur se Dinamo City do të ecë mirë. Kemi shënuar me mbrojtësit dhe mesfushorët dhe kjo shpërndarje është pozitive. Uroj që të jenë sulmuesit ata që mund ta zgjidhin ndeshjen në Shkodër, por e rëndësishme është të marrim rezultat”- Tha ai.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb